BDI protestoi për shfuqizimin e emrave të rrugëve në Tetovë

Bashkimi Demokratik për Integrim sot në sheshin e qytetit të Tetovës ka organizuar marsh protestues në kundërshtim të vendimin të fundit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të rrugëve dhe shesheve. Në ora 20:53, organizatorët e shpallën protestën të mbyllur, duke i falënderuar pjesëmarrësit.
Në protestën e sotme ka pasur thirrje si “UÇK”, “Bilall Beograd”, “Kush e shiti Tetovën? Bilalli!”, “Kush i ndryshoi emrat e rrugëve? Bilalli!”, “Bota serbe, jashtë Tetovës”, “Dervish Cara”, “Sot rrugët, nesër gjuha dhe identiteti” dhe parulla e thirrje të tjera.
Para fillimit të protestës foli Bajram Rexhepi, kandidati i fundit i BDI-së për kryetar të Komunës së Tetovës. Ai paralajmëroi vazhdimin e protestave, nëse Komuna e Tetovës do të anashkalojë kërkesat e qytetarëve.
“Vendimi i parë është sjellën në nëntor të vitit 2006-të, është dërguar letër në Qeveri që të merret miratim”, deklaroi Bajram Rexhepi, i cili ka deklaruar se Qeveria e kishte anashkaluar këtë kërkesë, por theksoi që vendimi ishte shpallur në Gazetën Zyrtare.



