Arsovska nuk do të kandidojë për një mandat të ri në zgjedhjet e ardhshme lokale
Kryetarja aktuale e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska nuk do të kandidojë për një mandat të ri. Në një deklaratë për media Arsovska tha se gjendja në vend është jashtëzakonisht e paqëndrueshme dhe se nuk planifikon të bashkëpunojë me njerëz, siç u shpreh, që dinë vetëm të sabotojnë dhe bllokojnë.
“Dëshiroj që së paku një herë t’u tregojnë dhe t’u dëshmojnë qytetarëve se atë që thonë do të mund ta zbatojnë në mënyrë që të kenë mbështetje në zgjedhjet e ardhshme. Kur kam kandiduar për kryetare komune kam pasur mbështetjen e VMRO-DPMNE-së, e cila fatkeqësisht nuk arriti ta kapërcejë vetveten. Kotësitë janë shumë të mëdha për të lejuar që dikush të punojë pa i thënë atij se çfarë të bëjë dhe si ta bëjë atë. Faleminderit, por kurrë nuk do të doja të punoja me njerëz të tillë që dinë vetëm të sabotojnë dhe të bllokojnë”, tha Arsovska.
E pyetur se a ka filluar fushata për zgjedhjet lokale me zhvillimet e fundit me NTP-në, Arsovska tha se nuk do të futet në agjendat politike, por se qytetarët janë mjaft të pjekur dhe do të mund të vlerësojnë se kush ka mundur ta zgjidhë problemin me Transportin Publik në tre vitet e fundit.
“Nëse dikush thotë se do ta zgjidhin këtë problem vitin e ardhshëm pas zgjedhjeve lokale, pyesni se pse nuk e kanë zgjidhur akoma. Sepse Këshilli është ai që mund të kishte marrë vendimin për blerjen e autobusëve të rinj tre vjet më parë. Pse nuk u mor një vendim i tillë duhet t’i pyesni ata. Nëse Qyteti i Shkupit do të funksiononte pa vendim të Këshillit dhe do të mund të bënte prokurim publik, do të ishte bërë deri më tani”, tha Arsovska.