Kryeparlamentari Gashi në Butel, takim me Kostovskin dhe vizitë në Zyrën e Deputetëve për Kontakt me Qytetarët

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ku kanë diskutuar për bashkëpunimin institucional, projektet që janë në realizim dhe prioritetet për periudhën e ardhshme.
Gashi bëri të ditur se gjatë takimit vëmendje e veçantë i është kushtuar interesit të qytetarëve dhe koordinimit ndërmjet institucioneve për realizimin e projekteve lokale.
“Diskutuam për bashkëpunimin institucional, projektet që janë në realizim dhe prioritetet për periudhën në vijim, me fokus në interesin e qytetarëve”, ka deklaruar Gashi.
Në vazhdim, së bashku me deputeten Karolina Naskovska, kryeparlamentari vizitoi edhe Zyrën e Deputetëve për Kontakt me Qytetarët në Butel, ku inkurajoi qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë dhe platformën elektronike për komunikim me përfaqësuesit e tyre.
Ai theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë dhe dëgjimi i kërkesave të qytetarëve janë thelbësore për ndërtimin e një Kuvendi të hapur dhe transparent.
“Një Kuvend i hapur dhe transparent ndërtohet përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, dëgjimit të qytetarëve dhe krijimit të mekanizmave që kërkesat e tyre të adresohen në mënyrë institucionale”, theksoi Gashi.



