OKB-ja paralajmëron për përkeqësimin e krizës që prek mbi 65 mijë refugjatë në Jemen

Agjencia e OKB-së për refugjatët paralajmëroi për përkeqësimin e shpejtë të situatës humanitare që prek më shumë se 65 mijë refugjatë dhe azilkërkues në Jemen, pasi intensifikimi i luftimeve, vështirësitë ekonomike dhe kufizimet në qasjen humanitare po i lënë mijëra njerëz në vështirësi për të mbijetuar, raporton Anadolu.
“UNHCR-ja është e alarmuar nga përkeqësimi i shpejtë i krizës humanitare”, u tha gazetarëve në Gjenevë zëdhënësi Matthew Saltmarsh, duke përmendur pasigurinë, pakësimin e burimeve dhe rritjen e çmimeve.
Ai tha se kushtet janë veçanërisht shqetësuese në kampin e refugjatëve Kharaz, në provincën Lahj, në jugperëndim të vendit, ku strehohen rreth 9.500 refugjatë nga Somalia dhe Etiopia.
Megjithëse nuk është konfirmuar vdekja e asnjë refugjati, bombardimet pranë kampit kanë ndërprerë shërbimet thelbësore dhe kanë kufizuar lëvizjen. Shkollat janë mbyllur ndërsa shërbimet e ndihmës juridike dhe dokumentacionit janë pezulluar.
Saltmarsh tha se disa familje po largoheshin drejt zonave jugore, përfshirë Adenin, duke përdorur rrugë ku qarkullojnë palët në konflikt, çka i ekspozon ato ndaj rreziqeve të mëtejshme.
Që nga përshkallëzimi i luftimeve në gusht, UNHCR-ja ka ndihmuar rreth 600 refugjatë somalezë të kthehen vullnetarisht nga Adeni në Mogadishu, përmes tre fluturimeve. Më shumë se 1.100 të tjerë kanë shprehur interesim për t’u kthyer, por sulmet e vazhdueshme dhe pasiguria kanë vështirësuar organizimin e operacioneve të mëtejshme.
Ndërkohë, më shumë se 134 mijë azilkërkues dhe migrantë mbërritën në Jemen përmes detit gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, një rritje prej rreth 22 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Saltmarsh kujtoi se të paktën 139 persona raportohet se humbën jetën në brigjet e Xhibutit në tetor, teksa po përpiqeshin të arrinin në Jemen.
Ai shtoi se më shumë se 280 mijë jemenas janë zhvendosur gjatë muajit të fundit ndërsa apeli humanitar i UNHCR-së për vendin është financuar vetëm në masën 19 për qind. Ndërprerjet e transportit detar në rajon kanë vështirësuar më tej dërgimin e ndihmave, megjithëse agjencia ka siguruar transport falas për 11 kontejnerë me furnizime emergjente nga Dubai drejt Jemenit.



