Durmishi nga Prishtina: Fuqizimi ekonomik i grave, prioritet për zhvillimin dhe konkurrueshmërinë e rajonit

Ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, mori pjesë në Konferencën Rajonale “SHE RISES REGIONAL 2026”, ku së bashku me ministra dhe përfaqësues të institucioneve ekonomike nga rajoni diskutoi për avancimin e sipërmarrjes së grave, nxitjen e investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.

Gjatë diskutimit në panelin ministror, Durmishi theksoi se fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm çështje e mundësive të barabarta, por një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, rritjen e produktivitetit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ministri prezantoi edhe masat konkrete të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për vitin 2026, duke theksuar se janë siguruar 11,34 milionë denarë për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, 2 milionë denarë për zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe 5 milionë denarë për projektet e përbashkëta ndërmjet kompanive dhe universiteteve.

Gjithashtu, përmes masave të vetëpunësimit, parashihen grante nga 7.000 deri në 20.000 euro, me qëllim nxitjen e sipërmarrjes dhe hapjen e bizneseve të reja. Nga këto masa, sipas kushteve të përcaktuara, mund të përfitojnë edhe bizneset në pronësi dhe të drejtuara nga gratë.

Durmishi paralajmëroi edhe një iniciativë të re për vitin 2027, duke shprehur gatishmërinë për të nisur bisedime me partnerët rajonalë për krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm bashkëpunimi ekonomik ndërmjet grave sipërmarrëse. Kjo iniciativë synon lidhjen e bizneseve të drejtuara nga gratë me kompanitë e mëdha dhe investitorët e huaj, si dhe lehtësimin e qasjes në tregjet rajonale dhe evropiane.

“Suksesi i një politike ekonomike nuk matet vetëm me numrin e kompanive të sapothemeluara, por edhe me qëndrueshmërinë, produktivitetin dhe aftësinë e tyre për të krijuar vlerë të re”, ishte mesazhi i ministrit Durmishi.

Në përmbyllje, ai theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të shndërrohet në rezultate konkrete, përmes investimeve të reja, rritjes së eksporteve dhe krijimit të vendeve të punës, duke e bërë sipërmarrjen e grave pjesë të rëndësishme të politikave të zhvillimit ekonomik.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button