Irani gati për luftë me Izraelin, thotë Pezeshkian

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi se vendi i tij është i përgatitur për çdo luftë që Izraeli mund të nisë kundër tij, duke shtuar se nuk është optimist për armëpushimin mes dy vendeve.
Pezeshkian i bëri këto komente në një intervistë ekskluzive për Al Jazeera, e cila ishte intervista e tij e parë televizive që nga përfundimi i konfliktit 12-ditor me Izraelin muajin e kaluar, gjatë të cilit SHBA-ja ndërhyri në anën e Izraelit, duke goditur objektiva bërthamore të Iranit.
“Ne jemi plotësisht të përgatitur për çdo lëvizje të re ushtarake izraelite, dhe forcat tona të armatosura janë gati të godasin sërish thellë në territorin izraelit. Ne nuk mbështetemi te armëpushimi i fundit dhe nuk jemi shumë optimistë për të. Prandaj jemi përgatitur për çdo skenar të mundshëm dhe për çdo përgjigje potenciale. Izraeli na ka dëmtuar, por edhe ne e kemi dëmtuar atë,” tha lideri iranian.
“Ai na ka goditur fuqishëm, por edhe ne e kemi goditur në thellësi, ndërsa ai po i fsheh humbjet e tij. Izraeli kërkoi të ndryshojë Iranin, ta shkatërrojë dhe ta eliminojë Iranin, regjimin dhe shoqërinë e tij, duke përhapur kaos dhe duke goditur qeverinë, por ka dështuar plotësisht ta bëjë këtë.” /Al Jazeera/