Davos 2025…Sfondi..!
Shkruan: Driton Demiri
Ndërsa bota në të cilën jetojmë, është e shpejtë, mizore dhe e paparashikueshme, Takimi i rregullt Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror nga 20 janari ka mbledhur në qytetin e njëjtë zviceran, Davos, liderë globalë nga biznesi, politika dhe shoqëria civile, për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale. Duke përfshirë stimulimin e rritjes për të përmirësuar standardin e jetesës, përgjigjen ndaj goditjeve gjeopolitike dhe administrimin e një tranzicioni të drejtë e gjithëpërfshirës të energjisë si dhe për të diskutuar prioritetet për të ardhmen. Davos është stenografi i Takimit Vjetor me atmosferë turistike dhe infrastrukturë qyteti i cili dominohet nga gjeopolitika, inteligjenca artificiale, klima dhe qëndrueshmëria.. Aty janë përgjigjet e pyetjeve më shpesh të parashtruara në lidhje me figurat publike dhe udhëheqësve të biznesit më me ndikim në botë. Derisa një nga pikat kryesore në Davos 2024 ishte se, “projeksionet nuk janë fat”, liderët edhe pse u zotuan për përpjekjet e tyre kundër fragmentimit, ata nuk i vendosën synimet e tyre tek uniteti.
Bizneset janë mësuar të përballen me raste të izoluara të paqëndrueshmërisë politike. Por paqëndrueshmëria politike në demokracitë liberale dhe konkurrenca strategjike (lufta tregtare) midis SHBA-ve dhe Kinës, tanimë dhe Europës janë të reja dhe sugjerojnë një ndryshim strukturor në rendin botëror.
Kur jemi tek e dyta, Presidenti i sapo inauguruar Donald Trump ka sinjalizuar se të gjitha importet në SHBA do të përballen me tarifa, duke përcaktuar më shumë detaje të politikave ekonomike të tij në një paraqitje online në Davos. Në një fjalim tipik rrëqethës, ai tha se synon t’i ul taksat e biznesit për t’i bërë ato “ndër taksat më të ulëta të çdo kombi në tokë”, për të inkurajuar prodhuesit që të vendosen në SHBA. Nëse nuk prodhoni në Amerikë siç u prononcua, që është prerogativë e juaj, atëherë shumë thjesht, do t’ju duhet të paguani një tarifë, -në shuma të ndryshme-, por një tarifë, e cila do të kalkulojë qindra miliardë dollarë, dhe madje edhe trilionë dollarë në thesarin tonë për të forcuar ekonominë dhe për të shlyer borxhin.
Në vend të kësaj, planifikimi dhe drejtimi i Takimit është një detyrë e madhe dhe puna për ngjarjen e vitit të ardhshëm do të fillojë sapo të përfundojë ky, thuan përfaqësues nga Forumi. Çështjet më urgjente që zënë vend, siç çdoherë janë ato të ekonomisë, politikës dhe ndryshimeve klimatike. Derisa punimet vijojnë, të ftuarit dhe fokusi i temave i përbashkon krye tema: “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, e cila përfshinë pesë përparësi tematike të dallueshme, por shumë të ndërlidhura; rindërtimi i besimit, ri-imagjinimi i rritjes, investimi në njerëz, mbrojta e planetit dhe industritë në epokën inteligjente. Takimi Vjetor, edhe si përherë, ofron një platformë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv, me shikim përpara dhe për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve përmes bashkëpunimit publiko-privat.
Koncepti bazohet në sugjerimin e themeluesit dhe CEO-s së Forumit, Klaus Schwab, se teknologjitë konvergjente po riformësojnë me shpejtësi botën, duke na shtyrë në pikë kthese. “ Në një epokë shumë përtej teknologjisë. Ky është një revolucion shoqëror, që ka fuqinë për të ngritur njerëzimin, ose në të vërtetë për ta thyer atë”, thotë ai.
Pra, cilat janë pyetjet më të mëdha e më të rëndësishme, për liderët, ndërsa përballen më sfidën e bashkëpunimit në një epokë të teknologjive konvergjente dhe hiper-inteligjencës? Si mund të shmangim fragmentimin dhe të ndërtojmë një të ardhme të zgjuar? Si mund të trajtojë inovacioni krizat, ndryshimet klimatike dhe keqpërdorimin e teknologjisë? A do të nxisin veprimi i përbashkët dhe udhëheqja e përgjegjshme barazinë, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin në vend që të thellojnë ndarjet ekzistuese?
Pritjet që roli i liderëve të jetë një pjesë e madhe e debatit të shkathët në Davos, është nevojë urgjente që ata të rriten dhe të kuptojnë se çfarë mund të bëjë me të vërtetë shkathtësia për sfidat me të cilat përballet bota.
Nëse hendeku midis shpresës dhe frikës (drojës) ishte në sprovë të qartë vitin e kaluar, konteksti për Davos 2025 nuk është më pak i acaruar dhe në mosmarrëveshje. Pasiguritë gjeopolitike, tensionet tregtare, polarizimi, luftërat dhe konfliktet, ankthi i klimës si dhe varfërisë po kumbojnë në përplasje. Mbase premtimi është tek inovacioni i shpejtë- Inteligjencës Artificiale, Robotikës, Informatikës kuantike, Bioteknologjisë, për të rritur produktivitetin dhe standardet e jetesës. Kuptimi i këtyre çështjeve dhe mënyrave për t’i trajtuar ato, janë vlerat dhe prioritetet e brezave të rinj që po vazhdojnë të formësojnë të ardhmen e punës, që do të thotë se bizneset kanë nevojë për një qëllim korporativ. Për të tërhequr, mbajtur dhe motivuar talentet në tregun konkurrues të sotëm të punës, bizneset duhet të kenë një qasje të integruar ndaj mirëqenies dhe zhvillimit të punonjësve.