Presidenti i Venezuelës: Heqja e sanksioneve do të ndalonte migrimin në SHBA

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka deklaruar se heqja e sanksioneve të njëanshme do të ndalonte flukset e migracionit nga jugu në veri, veçanërisht në SHBA, transmeton Anadolu.
Gjatë një konference për media në kryeqytetin Karakas, Maduro foli për çështjen e migracionit, duke theksuar ndikimin e kufizimeve ekonomike.
Maduro i kërkoi administratës amerikane të rishqyrtojë qëndrimin e saj për të lehtësuar krizën e migracionit.
“Nëse Venezuela tejkalon sfidat e saj dhe çlirohet nga të gjitha sanksionet ekonomike, asnjë emigrant i vetëm nuk do të shkojë në SHBA brenda një viti. Ne mirëpresim të gjithë ata që dëshirojnë të kthehen vullnetarisht”, tha Maduro.
Ai theksoi se pavarësisht sanksioneve, ekonomia e Venezuelës është rritur për 14 tremujorë radhazi. Maduro potencoi përgatitjet për rritje të qëndrueshme deri në vitin 2025, me fokus në sektorët prodhues.
Të dhënat e qeverisë tregojnë se Venezuela në dekadën e fundit është përballur me mbi 900 sanksione të huaja, kryesisht nga SHBA-ja.



