Servilizmi si dukuri e rrezikshme e shoqërisë!

Hamdi dhe falënderimi…. Besimtarë të nderuar, thotë Allahu në Kuran: “Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin të ndershëm punëmirë.” (Hud:117). Mysafirë të Allahut, sot më shumë se asnjëherë më parë kemi nevojë për ndershmëri (sinqeritet) në këshillimin dhe thënien e të vërtetës.
Shkruan: Abdusamed Zeqiri
Në literaturën morale të Islamit, ata që janë njohur veçanërisht për lavdërimin e njerëzve të pasur, me pozitë dhe të fuqishëm janë quajtur servilë, lajkatarë etj. Servilizmi është një dukuri që ka ekzistuar në të kaluarën dhe, për fat të keq, po përhapet gjithnjë e më shumë edhe sot. Kjo është një sëmundje e bazuar në nënshtrim. Servilët janë njerëz të cilët, për të gjetur një vend në një shoqëri të caktuar, janë të gatshëm të ulen deri në pikën e fundit, duke mos pasur respekt as për veten, duke zhdukur çdo lloj mendimi ndryshe,
duke u kthyer kështu në “kukulla” me të cilat zbaviten të fuqishmit.
Duke u bërë viktimë e kësaj dukurie, njeriu e harron se Allahu i Plotfuqishëm tha në Kuranin famëlartë: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit.” (Teube; 111) Kush mund ta blejë e ta shesë shpirtin e njeriut nëse ai nuk është në treg? Njeriu i nënshtrohet vetëm Zotit, andaj nuk mund t’i nënshtrohet edhe njeriut. Muhamedi a.s. thotë në një hadith: “Kur të ndesheni me njerëz që e kanë bërë zakon t’i lavdërojnë të tjerët (pra, që janë servilë), hidhuni dhè në fytyrë.” Kuptimi i këtij hadithi është: qortoni dhe mos lejoni mundësi për servilizëm, mos i gostitni dhe privoni nga gjërat që ata njerëz shpresojnë t'i arrijnë përmes asaj sjelljeje!
Servilizmi nuk rregullon ndonjë gabim, por para së gjithash e dëmton vetë lajkatarin, i cili duke thënë gjëra të paqena për të lavdëruarin, gënjen dhe duke i shfaqur dashuri pa e ndjerë, tregohet hipokrit. Kështu ka bërë mëkat, duke e shtyrë të lavdëruarin të bëhet arrogant dhe mendjemadh, ngase ai kënaqet me lëvdata dhe i braktis punët e mira që do t’i bënte. Thotë Antisteni: “Më mirë mes korbave sesa mes servilëve. Të parët të shqyejnë për së vdekuri, të dytët për së gjalli.”
Besimtarë të dashur, njeriu në natyrën e tij është me plotë mangësi. Ai asnjëherë nuk i sheh gabimet e veta, andaj ka nevojë për njerëz të sinqertë që do ta përmirësojnë atë. Këshilla edukuese e Pejgamberit a.s. është: “Xhihadi më i dashur te Allahu është fjala e vërtetë e thënë para sundimtarit tiran.”
Në duhet të bëhemi ithtarë të së vërtetës dhe ata që gabojnë t’i këshillojmë, ndërsa zullumqarët t’i ndalojmë nga dëmi nëse dëshirojmë të jetojmë si njerëz me krenari dhe dinjitet. Thotë Muhamedi a.s.: “Kur e shihni umetin tim se nga frika nuk guxon t’i thotë të padrejtit se është i padrejtë, atëherë nuk ka rëndësi nëse ekziston apo jo!”
Pejgamberi a.s. disa herë edhe i ka lavdëruar disa prej shokëve të tij, si p.sh. Ebu Bekrin, Omerin, Halidin etj., por vetëm duke synuar t'i inkurajojë punët e mira dhe të dobishme, duke ofruar shembullin e veprave të mira dhe të autorëve të tyre. Ajo që nuk pëlqehet në lëvdata është lavdërimi i tepërt i personit para syve, duke i përmendur cilësi dhe tipare të panjohura për të gjithë, thjesht për një interes të kësaj bote. Ka shumë shembuj – nga e kaluara dhe e tashmja – të njerëzve të poshtëruar, servilë, që e kanë shitur ndërgjegjen, i kanë tradhtuar amanetet e tyre, e kanë tradhtuar të vërtetën dhe janë zhytur në baltë dhe pastaj janë larguar nga kjo botë pa
keqardhje, të mallkuar nga Allahu dhe nga njerëzit. Ata kanë harruar se shpirtin e njeriut e ka blerë Allahu xh.sh. dhe ai shpirt nuk është më në shitje.
Gjithashtu ka shembuj, edhe pse shumë më pak, të atyre që refuzojnë të poshtërohen, që refuzojnë të tradhtojnë dhe që refuzojnë ta shesin njerëzinë, dinjitetin dhe burrërinë e tyre. Ata jetojnë dhe vdesin me dinjitet. Allahu na bëftë prej tyre! Amin, ashtu qoftë!



