Rrugët janë të kalueshme, por për kamionët ndalimi vazhdon në katër akse rrugore

Këtë mëngjes është hequr ndalimi për automjetet e rënda të mallrave në Qafën e Bukovës, mes Resnjës dhe Ohrit. Edhe rruga nga Dellçeva deri te pika kufitare me Bullgarinë është rihapur për të gjitha automjetet.

Sipas NP “Makedonija Pat”, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërsa ekipet po pastrojnë borën me gjithë mekanizimin që kanë në dispozicion. Në rrugët shtetërore qarkullohet mbi asfalt të lagësht. Megjithatë, sipas buletinit të mëngjesit të Aleancës Auto-Moto të Maqedonisë (AMSM), të publikuar në orën 7:45, kamionët ende nuk lejohen të qarkullojnë në katër akse rrugore.

Ndalimi vlen për rrugën Mavrovë – Dibër dhe për Qafën e Strazhës, mes Gostivarit dhe Kërçovës, ku masa është në fuqi që nga ora 18:00 e djeshme. Mbrëmë në orën 22:15 u vendos ndalim edhe në rrugën nga Kriva Pallanka deri te pika kufitare Deve Bair. Nga ora 00:20 ndalimi vlen edhe për rrugën Manastir – Resnjë, përmes Qafës së Gjavatos.

Në rrugën Resnjë – Ohër përmes Bukovës, ndalimi për kamionët u hoq sot në orën 7:30. Gjysmë ore më herët, në orën 7:00, qarkullimi u normalizua edhe në rrugën nga Dellçeva deri te pika kufitare me të njëjtin emër.

Këtë mëngjes në zonat më të larta po bie borë, ndërsa në ultësira reshjet janë më të dobëta. Nga “Makedonija Pat” u bëjnë thirrje shoferëve të kenë me vete pajisje dimërore dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet në rrugë. Sipas AMSM-së, në pikat kufitare nga ana maqedonase nuk ka pritje të gjata, as për hyrje, as për dalje nga vendi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button