Mickoski: Raporti i KE-së për Maqedoninë e Veriut më i mirë se vitin e kaluar, nuk ka asnjë vlerësim për regres

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se Raporti i Komisionit Evropian për progresin e vendit në procesin e integrimit evropian është më i mirë se ai i vitit të kaluar, duke theksuar se këtë vit nuk ka asnjë vlerësim për regres, por përparim në disa fusha, transmeton Anadolu.
Duke folur pas publikimit të raportit, në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, Mickoski tha se Komisioni Evropian ka evidentuar përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe se vendi renditet ndër shtetet me rezultatet më të mira në kuadër të Instrumentit Evropian për Reforma dhe Rritje.
“Ne kemi një raport më të mirë se vitin e kaluar. Komisioni Evropian konstaton përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës sonë të Reformave”, tha Mickoski, duke shtuar se në raportin e sivjetmë nuk ka asnjë vlerësim për regres.
Ai theksoi se niveli i përgatitjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian është rritur në dy kapituj negociues, përkatësisht në transformimin digjital dhe media, si dhe në arsim dhe kulturë. Vitin e kaluar, sipas tij, përmirësim ishte shënuar vetëm në një kapitull.
Sa u përket rezultateve ekonomike, Mickoski theksoi se raporti evidenton rritje ekonomike prej 3,5 për qind në vitin 2025, ndërsa të dhënat e përditësuara e kanë rishikuar këtë shifër në 3,8 për qind. Ai shtoi se papunësia gjatë së njëjtës periudhë është ulur nga 12,5 në 11,7 për qind.
Sipas tij, deri në qershor të këtij viti, Komisioni Evropian kishte lëshuar 142,1 milionë euro në kuadër të Agjendës së Reformave. Gjithashtu, përparim është evidentuar në transformimin digjital, shkencë dhe kërkim shkencor, si dhe në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes.
Në fushën e digjitalizimit, Mickoski përmendi se 44 institucione shtetërore kanë përdorur sistemin e ri për arkivimin elektronik dhe menaxhimin e dokumenteve, ndërsa portali kombëtar përfshin 338 shërbime elektronike. Në arsim, ai veçoi miratimin e Strategjisë së re për periudhën 2026–2032 dhe funksionalizimin e qendrave rajonale për arsim profesional.
Duke iu referuar sundimit të ligjit, kryeministri tha se Komisioni Evropian ka vlerësuar se Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor adreson në masë të madhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ai theksoi se në kapitullin 23, që përfshin gjyqësorin dhe të drejtat themelore, vlerësimi është përmirësuar nga mungesë e përparimit vitin e kaluar në përparim të kufizuar këtë vit.
Megjithatë, Mickoski pranoi se raporti përmban edhe vërejtje dhe se institucionet përgjegjëse duhet të vazhdojnë reformat, ndërsa nga organet gjyqësore dhe prokuroriale kërkoi rezultate konkrete dhe zbatim të qëndrueshëm të ligjeve.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, ai u ndal edhe te çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe kontesti me Bullgarinë, duke përsëritur qëndrimin e qeverisë se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në rregulla të qarta, parashikueshmëri dhe besim të ndërsjellë
”Ne nuk kemi mungesë reformash, por kushte politike të mbetura”, deklaroi Mickoski, duke iu referuar pengesave politike në procesin e integrimit.
Ai theksoi se anëtarësimi në BE mbetet përcaktim strategjik i vendit dhe se Maqedonia e Veriut është e gatshme të vazhdojë reformat, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane.
Në fund, Mickoski kërkoi që procesi i zgjerimit të marrë një dinamikë të re, duke theksuar se përgjegjësia për përparimin duhet të jetë e përbashkët mes vendeve kandidate dhe vetë Bashkimit Evropian.



