Një pallat osman, një turmë e tërbuar dhe vrasja e stërgjyshit të Boris Johnsonit…

Koray Erdogan, Türkiye Today

Më shumë se një shekull më parë, një ish-ministër i Perandorisë Osmane hyri në një pallat elegant në Izmit, në veriperëndim të Turqisë, duke menduar se do të merrej në dorëzim nga autoritetet për t’u përballur me drejtësinë.

Por në vend të një procesi gjyqësor, aty nisi kapitulli i fundit i jetës së tij. Jashtë portave të pallatit e priste një turmë e zemëruar, e cila do ta vriste në një nga ngjarjet më famëkeqe politike të ditëve të fundit të Perandorisë Osmane.

Viktima ishte Ali Kemal, gazetar, politikan dhe ish-ministër i Brendshëm, një prej kundërshtarëve më të zëshëm të Lëvizjes Kombëtare Turke. Ai ishte gjithashtu stërgjyshi i Boris Johnson, i cili pothuajse një shekull më vonë do të bëhej kryeministër i Britanisë së Madhe.

Pallati ku Ali Kemal u paraqit për herë të fundit para autoriteteve ushtarake ekziston edhe sot. I njohur si Muzeu i Pallatit Kasr-i Humayun, ai ruan arkitekturën elegante osmane, por edhe kujtimin e një vrasjeje që tronditi fundin e perandorisë.

Nga përplasja politike te linçimi

Ali Kemal kishte shërbyer si ministër i Arsimit dhe më pas i Brendshëm në qeverinë osmane të Damat Ferit Pashës. Ai kundërshtonte lëvizjen nacionaliste që kërkonte pavarësinë e Turqisë dhe çlirimin e vendit nga pushtimi i fuqive aleate.

Në vitin 1919, gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Brendshme, u përpoq të kufizonte telegramet e protestës që mbështesnin rezistencën kundër pushtimit aleat dhe zbarkimit të ushtrisë greke në Izmir.

Edhe pasi u largua nga qeveria, vazhdoi të kritikonte nacionalistët përmes gazetës “Peyam-i Sabah”. Pas fitores së forcave nacionaliste më 1922, autoritetet urdhëruan arrestimin dhe dërgimin e tij në Ankara.

Në fillim të nëntorit, Ali Kemal u kap në Stamboll dhe u transportua me anije drejt Izmitit, ku iu dorëzua gjeneralit Nurettin Pasha.

Sipas rrëfimeve historike, ai u soll fillimisht para komandantit në pallatin Kasr-i Humayun dhe më pas u nxor jashtë, ku e priste një turmë e mbledhur. Njerëzit e sulmuan me gurë dhe shkopinj, duke e vrarë pa iu nënshtruar asnjë procesi gjyqësor.

Më pas, trupi i tij u ekspozua publikisht. Disa rrëfime ia atribuojnë organizimin e linçimit Nurettin Pashës. Vrasja shkaktoi reagime dënuese edhe në radhët e drejtuesve të lëvizjes nacionaliste, përfshirë Mustafa Kemal Ataturkun dhe Ismet Pashën.

Si u lidh familja e Ali Kemalit me politikën britanike

Lidhja e Ali Kemalit me Britaninë e Madhe nisi në vitin 1903, kur ai u martua me britaniken Winifred Brun. Nga kjo martesë lindi më 1909, djali i tyre Osman Wilfred Kemal. Pas vdekjes së së ëmës, ai u rrit në Britani, ku familja më vonë mori mbiemrin Johnson.

Osman Wilfred u bë babai i Stanley Johnson dhe gjyshi i Boris Johnson, i cili drejtoi qeverinë britanike nga viti 2019 deri në vitin 2022. Prejardhja osmane e ish-kryeministrit, ka tërhequr herë pas here vëmendjen e opinionit publik britanik.

Pallati që u kthye në muze

Historia e pallatit Kasr-i Humayun nis që nga koha e sulltan Muratit IV, kur në këtë vend u ndërtua një rezidencë prej druri. Ajo u shkatërrua nga zjarri dhe një tërmet, ndërsa ndërtesa që ekziston sot daton nga sundimi i sulltan Abdylazizit (1861-1876).

E projektuar nga arkitekti osman Karabet Amira Balyan, ndërtesa dykatëshe ndërthur elemente neoklasike dhe barokun evropian. Fasada prej mermeri, pikturat e zbukuruara në tavane, të realizuara nga artisti francez Sason, si dhe pasqyrat dekorative, i japin asaj një pamje madhështore.

Për nga mjeshtëria arkitekturore, pallati është krahasuar me Dolmabahçen e Stambollit, megjithëse në përmasa më të vogla.

Gjatë historisë, ai ka pritur sundimtarë osmanë, zyrtarë të lartë, Mustafa Kemal Ataturkun dhe shkrimtarin francez Claude Farrère.

Më vonë, ndërtesa u përdor për funksione administrative dhe në vitin 1967 u kthye në Muzeun e Izmitit. Tërmeti shkatërrimtar i 17 gushtit 1999 i shkaktoi dëme të konsiderueshme. Restaurimi nisi në vitin 2004 dhe muzeu u rihap për vizitorët më 16 janar 2007.

Sot, Muzeu i Pallatit Kasr-i Humayun ruan një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë arkitekturore të periudhës së vonë osmane. Por pas mureve të tij prej mermeri fshihet edhe historia e një vrasjeje politike, që lidh luftën për pavarësinë e Turqisë me familjen e një prej kryeministrave më të njohur britanikë të kohëve moderne. \tesheshi.com\

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button