Djaloshi mes dy kutive të votimit

Shkruan: Ditar Kabashi – 9 qershor 2026

Po binin kambanat e një lufte që mund të ishte e përgjakshme. Kishte kohë që çdokush e gjithçka lëvizte në majë të thikës. Nuk dihej se çfarë do të lindte bashkë me agun e nesërm.
Do të organizoheshin zgjedhjet presidenciale. Presidenti do të rikonfirmohej si udhëheqës i popullit të përvuajtur. Ai nuk ishte kryetar i atij shteti që po shtypte shqiptarët, dhe legjitimohej nga qytetarët për të vazhduar rezistencën ndaj makinerisë së dhunshme shtetërore të asaj që në letër vijonte të quhej Jugosllavi.
Djaloshi po mbushte tetë vjet dhe mezi priste të vinte dita e votimit. Nuk kishte të drejtë vote, por do t’i shoqëronte prindërit në vendvotim. E kishte kapluar emocioni se do ta zgjidhnin Presidentin.
Meqë këto zgjedhje ishin të ndaluara nga regjimi i asokohshëm, procesi nuk mund të zhvillohej lirshëm. I ati, e ëma dhe halla, bashkë me djaloshin, që për atë ditë ishte veshur enkas më bukur, u nisën më këmbë drejt godinës së Medresesë së qytetit. Aty ishin vendosur kutitë e votimit. Mbi kuti rrinte i shpalosur flamuri kombëtar shqiptar dhe një fotografi e Skënderbeut.
Mes urimeve të të pranishmëve, babai i dha fletëvotimin të birit që ta hidhte në kuti. Ky do të kthehej në aktin më patriotik të djaloshit gjer më atë ditë. Nën vëzhgimin e forcave policore armiqësore që vëzhgonin cep më cep rrugët, po shprehej vullneti i popullit. Ndonëse institucionet dhe Presidenti nuk gëzonin status formal ndërkombëtar, ata kishin zënë vend në mendjen dhe zemrën e popullit. Atëbotë, kjo ishte arritja më e madhe, pas së cilës pritej liria.
Lufta e pashmangshme ndodhi. U dhanë shumë martirë e dëshmorë. U derdhën shumë lot dhimbjeje e, pastaj, lot gëzimi kur erdhi liria. Ai popull u bë me shtet të vetin.
Zgjedhjet tashmë ishin të lira, pa kërcënim të huaj. Kishte ardhur pluralizmi. Secili gëzonte të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.
Gati tri dekada pas zgjedhjeve që mbaheshin në tytat e mitralozave dhe barrikadave të autoblindave, duhej të zgjidhej Presidenti i republikës së pavarur. Votimin duhej ta bënin deputetët, përfaqësuesit e popullit të lirë në Kuvend. Por s’e zgjodhën dot. S’u morën vesh për emrin. Mbasi kështu puna, atëherë u shpërnda Kuvendi dhe u mbajtën rishtas zgjedhjet parlamentare.
Mirëpo, pjesa më e madhe e qytetarëve nuk morën pjesë në votime. Secili mund t’i ketë arsyet e veta. Dikush mund të ketë qenë i zhgënjyer nga klasa politike. Tjetri nuk do të prishte pushimin bregdetar për votime. Për dikë mund të ishte vapë e madhe. Bota ka shumë halle.
Është po ai vend dhe ai popull, me ca ndërrime gjeneratash. Shoqëria që gjente kurajën të rrezikonte veten për të organizuar zgjedhje në zenitin e reprezaljes tridhjetë vjet më parë, tani nuk po gjen dot kurajën të votojë për askënd prej kandidatëve, bijtë e bijat që dalin nga gjiri i vet. A thua bash asnjëri nga ata nuk e merituaka votën? Nga kutitë e votimit që mbusheshin plot përkundër përndjekjes policore jugosllave, sot kemi kuti që, nën ruajtjen e policisë sonë, mbeten më të zbrazëta. Djaloshit të dikurshëm e gjithë kjo i duket paradoks. Fundja, mendon ai, kutia e votimit jemi vetë ne.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button