Driton Sulejmani: Nis faza e re e projektit për arsim cilësor dhe demokratik në RMV

Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka marrë pjesë në konferencën për fillimin e fazës së re të projektit “Arsim cilësor për të gjithë – Ndërtimi i qëndrueshmërisë demokratike – Maqedonia e Veriut”, i mbështetur nga Ambasada e Gjermanisë.
Në fjalën e tij, Sulejmani theksoi rëndësinë e projektit për zhvillimin e një sistemi arsimor më cilësor, gjithëpërfshirës dhe demokratik, si dhe vazhdimin e reformave të qëndrueshme në këtë sektor.
“Sot mora pjesë në konferencën për fillimin e fazës së re të projektit “Arsim cilësor për të gjithë – Ndërtimi i qëndrueshmërisë demokratike – Maqedonia e Veriut”, një iniciativë që përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi arsimor më cilësor, më gjithëpërfshirës dhe më demokratik. Ky projekt mbështetet nga ambasada e Gjermanisë.
Ky projekt mbështetet në rezultatet e fazës së mëparshme dhe synon të kontribuojë në reforma sistemore dhe të qëndrueshme në arsim, përmes forcimit të kulturës demokratike, gjithëpërfshirjes dhe qeverisjes së mirë në sistemin arsimor.
Si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, mbetemi të përkushtuar për të siguruar qasje të barabartë në arsim cilësor për të gjithë nxënësit, duke krijuar shkolla ku kultivohen vlerat demokratike, respekti i ndërsjellë, mendimi kritik dhe pjesëmarrja aktive e të rinjve në shoqëri.
Projekti do të ofrojë mbështetje për politikat kombëtare, institucionet arsimore dhe shkollat në integrimin e parimeve demokratike në mësimdhënie, në qeverisje dhe në praktikën e përditshme arsimore.
Besojmë se përmes partneritetit dhe bashkëpunimit të përbashkët me të gjithë aktorët relevantë – hartuesit e politikave, shkollat, mësimdhënësit, partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile – do të ndërtojmë një sistem arsimor më të qëndrueshëm dhe më gjithëpërfshirës, i cili do t’u përgjigjet nevojave të çdo fëmije.
Arsimi cilësor është themeli i një shoqërie demokratike dhe prosperuese, ndërsa obligimi ynë i përbashkët është të sigurojmë që askush të mos mbetet pa mundësinë për sukses dhe zhvillim”, ka deklaruar Sulejmani.



