Universitetet izraelite përballen me bojkot në rritje për shkak të luftërave të Izraelit

Universitetet izraelite po përballen me një bojkot në rritje për shkak të luftërave të Izraelit në Rripin e Gazës, Liban dhe Iran, duke thelluar izolimin akademik të vendit, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.
E përditshmja izraelite “Yedioth Ahronoth”, duke cituar një raport nga Shoqata e Drejtuesve të Universiteteve të Izraelit (VERA), njoftoi për një rritje prej 66 për qind e ankesave të raportuara nga universitetet izraelite për bojkotet akademike të huaja për shkak të luftërave izraelite.
Raporti paralajmëroi për “një përshkallëzim të mprehtë të bojkotit akademik global të Izraelit”, duke thënë se izolimi është bërë një “kërcënim strategjik”. Shifra më alarmuese, sipas raportit, është një rritje prej 150 për qind e përpjekjeve për të përjashtuar Izraelin nga “Horizon Europe”, programi kryesor i financimit të Bashkimit Evropian për kërkim dhe inovacion, me një buxhet që tejkalon 95 miliardë euro.
Raporti mbulon periudhën nga tetori 2025 deri në prill 2026 dhe thotë se pavarësisht armëpushimit në Gaza dhe zhvendosjes drejt Iranit, “trendi i bojkotit nuk po zbehet”. Ndërsa në vitet 2024 dhe 2025 bojkotet synonin kërkues individualë, të dhënat e reja tregojnë se muajt e fundit shumica e incidenteve të bojkotit kanë shënjestruar institucionet akademike dhe shoqatat profesionale.
“Yedioth Ahronoth” ka bërë të ditur se shifrat janë pjesë e një trendi më të gjerë që tregon një rritje prej 66 për qind të ankesave krahasuar me vitin e parë të luftës, me një total prej 1.120 ankesash për bojkot të regjistruara gjatë periudhës së raportit.
Belgjika kryeson listën e vendeve ku raportohen bojkote akademike të universiteteve izraelite, e ndjekur nga Holanda, Britania e Madhe, Spanja dhe Italia. “Izraeli mund ta gjejë veten jashtë klubit shkencor”, duke shkaktuar dëme të pariparueshme në pozicionin e tij si një vend kryesor i startup-eve, paralajmëroi gazeta.
“Raporti vërteton se bojkoti akademik nuk është një fenomen kalimtar, por një fushatë afatgjate që kërcënon thelbin e kërkimit izraelit”, tha Daniel Chamovitz, president i Universitetit Ben-Gurion dhe kryetar i VERA-s.
Raporti thekson se 41 për qind e rasteve të bojkotit përfshijnë një pezullim të qartë të bashkëpunimit ndërsa rreth 30 për qind përfshijnë ndërprerje të leksioneve dhe konferencave. Ndër të tjera raporti paralajmëron se grupet e bojkotit po shfrytëzojnë tensionet diplomatike dhe të sigurisë për të intensifikuar izolimin akademik të Izraelit.
Më 8 tetor 2023, Izraeli nisi luftë gjenocidale në Gaza që zgjati dy vjet, duke vrarë më shumë se 72 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe duke plagosur më shumë se 172 mijë të tjerë.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit në fuqi që nga 10 tetori 2025, Izraeli ka mbajtur kufizime në hyrjen e ndihmës humanitare dhe vazhdon sulmet e përditshme që kanë vrarë 856 palestinezë dhe kanë plagosur 2.463 të tjerë.
“Supozimi fillestar se një armëpushim në Gaza do të frenonte aktivitetin e bojkotit nuk është materializuar”, vuri në dukje raporti ku më tej shtohet se “Monitorimi i retorikës së grupeve të bojkotit tregon se ata u përshtatën shpejt me rrethanat në ndryshim, përfshirë luftën me Iranin dhe operacionet izraelite në Liban”.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka zhvilluar ofensivë të gjerë në Liban, duke vrarë 2.896 njerëz, duke plagosur 8.824 dhe duke zhvendosur më shumë se 1 milion, sipas shifrave zyrtare.
Izraeli dhe SHBA-ja filluan një luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 3.000 njerëz dhe duke shkaktuar hakmarrje nga Teherani kundër Izraelit si dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.



