Shenjat e “Shenjës”

Kjo revistë na kujton se, përpos sprovave dhe perspektivave personale/lokale, kemi edhe sprovat e përbashkëta që na prekin të gjithëve, ku në varësi të qëndrimit që do të mbajmë për to, varet cilësia e së ardhmes sonë. E ardhmja mbillet në të tashmen dhe pikërisht këtë është mundu me e ba kjo revistë, jo thjesht analiza e kritikë për fenomene të aktualitetit, por si mision për nji të ardhme që na mbron… duke e mbrojtur.   

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë   

Nji prej cilësive ma të randësishme, për mos me thanë ma e randësishmja e revistës “Shenja”, është energjia sintetizuese e mendimit bashkëkohor shqiptar, nji konak që ofron bujarisht ide për ta (ri)lexuar realitetin politik dhe kulturor që na rrethon. 

Numri i autorëve që shkruajnë për revistën që prej pesëmbëdhjetë vitesh është i madh, por ajo që është edhe ma e randësishme është larmia e tyre: qasje e pikëpamje të ndryshme nga hapësira/dinamika gjeografike e kulturore të ndryshme (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi…) 

Kështu, jetëgjatësia e projektit dhe larmia e autorëve të zgjedhur e ban “Shenjën” nji institucion më vete, ku nëpërmjet arkivit të saj të pasur mundemi me pa e studiu gjendjen e hartës së mendimit të sotëm të nji numri të madh autorësh (analistë, historianë, shkrimtarë, antropologë, sociologë, artistë, përkthyes, juristë, ekonomistë etj.) 

E meqë ra fjala te arkivi, është e nevojshme të rikthehet ai projekti i librave me tekstet e zgjedhura nga revista, jo vetëm me tekstet e nji autori të caktuar, por edhe në rrafsh tematikash, ku nga numra të ndryshëm të revistës mund të përzgjidhen shkrime të ndryshëm që lidhen me njëri-tjetrin për nga çështja që trajtojnë. Pra, si e shohin nji temë të caktuar studiues të fushave të ndryshme. 

“Shenja” është edhe nji bashkim kombëtar i llojit të vet, sepse përmes autorësh të zgjedhur nga Shqipëritë tona të copëtuara, shohim se si ndryshon harta e prurjeve intelektuale ndër shqiptarë. 

Po ashtu, kjo revistë na kujton se, përpos sprovave dhe perspektivave personale/lokale, kemi edhe sprovat e përbashkëta që na prekin të gjithëve, ku në varësi të qëndrimit që do të mbajmë për to, varet cilësia e së ardhmes sonë.  

E ardhmja mbillet në të tashmen dhe pikërisht këtë është mundu me ba kjo revistë, jo thjesht analiza e kritikë për fenomene të aktualitetit, por si mision për nji të ardhme që na mbron… duke e mbrojtur. 

E veçanta dhe e përbashkëta, lokalja dhe kombëtarja, e pjesshmja dhe e përgjithshmja, mendimi dhe fryma krijojnë nji thurimë të pasur në mijëra faqe përpjekje të “Shenjës”. 

“Shenja” na ka dhanë shumë shenja se si jemi dhe si mund të jemi nesër; se ç’lloj problemesh kalojnë shqiptarët dhe se si mund të tejkalohen apo të zgjidhen.  

Revista “Shenja” është nji prej pasurive intelektuale ma të çmuara që kemi sot. 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button