Egjipti mohon pretendimet izraelite për hapjen e kufirit në Rafah për daljen e banorëve të Gazës

Egjipti ka mohuar pretendimet izraelite në lidhje me hapjen e pikës kufitare në Rafah për daljen e palestinezëve nga Rripi i Gazës, transmeton Anadolu.

Duke cituar një burim anonim, Shërbimi Shtetëror i Informacionit i Egjiptit tha se nuk ka pasur koordinim në lidhje me rihapjen e pikës kufitare në Rafah në ditët në vijim për palestinezët që dëshirojnë të largohen nga Gaza.

Burimi tha se çdo hapje e mundshme e terminalit do të jetë në të dyja drejtimet, për hyrjen dhe daljen e palestinezëve në “përputhje me atë që u deklarua në planin e paqes të presidentit amerikan”, i cili shërben si bazë për marrëveshjen e armëpushimit që hyri në fuqi në Gaza më 10 tetor.

Sot herët, organi ushtarak izraelit COGAT pretendoi për hapjen e pikës kufitare në ditët në vijim “ekskluzivisht për daljen e banorëve nga Rripi i Gazës në Egjipt”.

“Dalja e banorëve përmes pikës kufitare Rafah do të lehtësohet përmes koordinimit me Egjiptin, pas miratimit të sigurisë nga Izraeli dhe nën mbikëqyrjen e misionit të BE-së, ngjashëm me mekanizmin që veproi në janar 2025”, tha COGAT në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Kalimi kufitar Rafah në Gazën jugore ishte planifikuar të rihapej tetorin e kaluar si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, por mbeti i mbyllur për shkak të mos respektimit të marrëveshjes nga Izraeli.

Që nga maji i vitit 2024, ushtria izraelite ka bllokuar lëvizjen e palestinezëve përmes pikës kufitare, dritarja e vetme e territorit me botën e jashtme që nuk kontrollohej nga Tel Avivi para fillimit të sulmit izraelit kundër Gazës në tetor të vitit 2023.

Të martën, zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric deklaroi se më shumë se 16.500 pacientë palestinezë ende kanë nevojë për kujdes mjekësor shpëtues jashtë Gazës.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë të paktën 70 mijë palestinezë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në sulmet brutale që e kanë kthyer enklavën në rrënoja.

Zyra e medias e qeverisë së Gazës tha se ushtria ka shkelur armëpushimin rreth 591 herë, duke vrarë 357 persona dhe duke plagosur 903 të tjerë.

Izraeli gjithashtu pengon hyrjen e ushqimit dhe ilaçeve të mjaftueshme në territorin e rrethuar, ku rreth 2.4 milionë palestinezë jetojnë në kushte katastrofike humanitare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button