Netanyahu kundërshton kthimin e palestinezëve të zhvendosur në kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kundërshtoi të martën kthimin e palestinezëve të zhvendosur nga kampet e refugjatëve në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, duke thënë se forcat izraelite do të vazhdojnë të kontrollojnë zonën, transmeton Anadolu.

Deklarata e tij u bë gjatë një vizite pranë kampit të refugjatëve në Tulkarm, ku shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz dhe zyrtarë të lartë ushtarakë, sipas një videoje të publikuar nga zyra e tij. Netanyahu e përshkroi kampin si një “bastion terrorist” dhe pretendoi se trupat izraelite e kishin pastruar atë me urdhër të qeverisë së tij.

Duke iu referuar një vendimi të fundit të Gjykatës së Lartë të Izraelit për kthimin e palestinezëve të zhvendosur, ai tha: “Këta nuk janë banorë, këta janë terroristë”. Ai këmbënguli se ushtria izraelite do të vazhdojë të kontrollojë zonën, duke përjashtuar praninë e çdo force ushtarake arabe në perëndim të lumit Jordan.

Të dielën, Gjykata e Lartë e Izraelit urdhëroi qeverinë të paraqesë afat kohor për masat e nevojshme që do t’u mundësonin palestinezëve të zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre në kampet e refugjatëve në Jenin, Tulkarm dhe Nur Shams si dhe të shqyrtojë mënyrat për ta përshpejtuar kthimin e tyre.

Forcat izraelite kanë penguar mijëra palestinezë, të zhvendosur nga këto tri kampe që nga fillimi i vitit 2025, të kthehen në shtëpitë e tyre. Netanyahu paralajmëroi për një përballje të mundshme me forcat e sigurisë së Autoritetit Palestinez, duke sugjeruar se ato mund t’i kthejnë armët kundër Izraelit para zgjedhjeve.

Ai pretendon se ushtria izraelite ka përgatitur kundërpërgjigje për një skenar të tillë, duke paralajmëruar kundër çdo përpjekjeje për të sfiduar forcat e saj. Netanyahu përsëriti vendosmërinë e qeverisë së tij për të ruajtur kontrollin mbi territorin mes lumit Jordan dhe Detit Mesdhe, duke pretenduar se kishte krijuar më shumë se 104 vendbanime dhe ferma të shumta.

Javët e fundit, ai është përqendruar gjithnjë e më shumë te siguria në fushatën e tij zgjedhore, duke e paraqitur veten si “personin më të aftë” për t’u përballur me kërcënimet ndërsa figurat e opozitës e akuzojnë se po shfrytëzon frikën e publikut për përfitime politike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button