Zyrtari amerikan paralajmëron Izraelin për “çmim të rëndë” nëse nuk arrihet marrëveshje armëpushimi në Gaza!

Një zyrtar i lartë amerikan ka paralajmëruar se qeveria e Tel Avivit do të paguajë një çmim shumë të rëndë nëse nuk pranon një marrëveshje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve në Gaza, sipas mediave izraelite.
E përditshmja Jerusalem Post raportoi të mërkurën se është mbajtur një takim mes zyrtarëve amerikanë dhe familjeve të pengjeve izraelite që mbahen në Gaza.
Gjatë takimit, zyrtari i lartë amerikan – i cili nuk është identifikuar me emër – kritikoi qëndrimin e Izraelit në negociatat për rinovimin e një armëpushimi dhe marrëveshjes për pengjet, duke deklaruar se SHBA-të do të arrijnë një marrëveshje rajonale me Arabinë Saudite edhe pa përfshirjen e Izraelit.
Zyrtari tha se pengjet në Gaza tashmë kanë paguar çmimin për dështimin në përfundimin e luftës, duke shtuar: “Nëse deri tani ata kanë paguar çmimin e mosmbarimit të luftës, sot çmimi do të jetë shumë më i rëndë për Izraelin – dhe jo vetëm për pengjet.”
Zyrtari amerikan i paidentifikuar theksoi se marrëveshja e armëpushimit me Houthit në Jemen ishte vetëm një pikënisje, dhe paralajmëroi: “Nëse Izraeli nuk vjen në vete, edhe ‘Marrëveshja e Shekullit’ do të ndodhë pa të.”
Është raportuar se të afërmit e pengjeve izraelite të pranishëm në takim i interpretuan deklaratat e zyrtarit si “ndryshim toni nga një aleat që tradicionalisht shihej si mbështetës i pakushtëzuar i Izraelit”. /TRT World/