Trump i kthen shpinën Netanyahut?

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të ndërpresë kontaktet direkte me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, sipas Radios së Ushtrisë izraelite.
Yanir Cozin, korrespondent i Radios së Ushtrisë, shkroi në llogarinë e tij në X (ish-Twitter) se Trump mori këtë vendim pasi bashkëpunëtorë të afërt i thanë ministrit izraelit të Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, se presidenti beson se Netanyahu po e manipulon.
Një zyrtar izraelit shtoi se toni i Dermerit gjatë bisedimeve të fundit me figura të larta republikane për atë që duhet të bëjë Trump, është perceptuar si arrogant dhe joproduktiv.
Sipas zyrtarit, njerëz pranë Trump-it i kanë thënë se “Netanyahu po e manipulon atë.”
“Nuk ka asgjë që Trump e urren më shumë sesa të paraqitet si budalla apo si dikush që po mashtrohet. Kjo është arsyeja pse vendosi të ndërpresë kontaktet me Netanyahun,” shtoi zyrtari.
Cozin gjithashtu theksoi se dështimi i qeverisë izraelite për të paraqitur një plan konkret dhe afat të qartë në lidhje me Iranin dhe Houthit në Jemen ka kontribuar në përkeqësimin e marrëdhënieve SHBA-Izrael.
Po ashtu, korrespondenti vuri në dukje se qeveria Netanyahu nuk ka ofruar një propozim konkret për Gazën.