Vriten dy ushtarë tjerë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza

Ushtria izraelite njoftoi se dy ushtarë të saj u vranë dhe katër të tjerë u plagosën rëndë në Rripin e Gazës në të cilën ajo kryen sulme të dhunshme dhe ka bllokuar hyrjen e ushqimit dhe ndihmës humanitare, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se rreshteri Yishai Elyakim Urbach (20) nga Batalioni i Fortifikimit dhe Yam Frid (21) nga Brigada Golani u vranë gjatë luftimeve në jug të Gazës.
Një ushtar izraelit u plagos rëndë në ngjarjen ku u vra Urbach dhe tre ushtarë u plagosën rëndë në ngjarjen ku mbeti i vrarë Frid.
Në lajmin e gazetës “Times of Israel” përmendet raporti paraprak i ushtrisë izraelite. Në ngjarjen ku u vra Urbach në qytetin Rafah, ndërtesa ku ishin vendosur ushtarë izraelitë u shemb pjesërisht si pasojë e shënjestrimit me një RPG.
Frid humbi jetën dhe katër ushtarë, tre prej tyre rëndë u plagosën si pasojë e shënjestrimit me eksploziv në të njëjtin rajon, të një automjeti të blinduar transportues ushtarak.
Sipas të dhënave të ndara nga ushtria izraelite nën titullin “ata që janë lejuar të zbulojnë emrat”, numri i ushtarëve të vrarë izraelitë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 856.