Zv/kryeministri i parë Bekim Sali: RMV-ja fiton 65.7 milionë euro nga BE, reformat po japin rezultate konkrete

Zv/kryeministri i parë Bekim Sali në konferencë për media, ka njoftuar për mjetet në vlerë prej 65.7 milionë euro që ka fituar Maqedonia e Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje.
Sali tha se kjo ka arrdhur si rezultat i reformave të realizuara dhe progresit konkret që është arritur në muajt e fundit.
“Ky sukses nuk erdhi rastësisht. Ky sukses është rezultat i punës së koordinuar të institucioneve, i përkushtimit të administratës, i përgjegjësisë politike dhe i vendosmërisë që reformat të mos mbeten vetëm në letër, por të prodhojnë rezultate konkrete për qytetarët.
Sot mund të themi me përgjegjësi të plotë se po hyjmë në një fazë të re të funksionimit institucional, ku rezultatet maten me realizim konkret, me efikasitet dhe me kapacitet për të përmbushur obligimet që i marrim përsipër”, ka deklaruar Sali.
Ai më tej shtoi se në periudhën e tretë raportuese, shteti ka raportuar 21 hara reformuese të realizuara.
“Nga këto, 16 hapa janë vlerësuar pozitivisht, ndërsa ajo që është veçanërisht domethënëse është fakti se tre hapa janë realizuar para afatit të paraparë. Kjo tregon qartë se institucionet tona nuk punojnë vetëm për të arritur afate minimale, por janë të angazhuara që reformat të realizohen me kohë, me seriozitet dhe me vizion afatgjatë. Në këtë cikël monitorimi janë ndjekur gjithsej 44 hapa reformues.
Nga 29 hapa me afat deri në fund të vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme tashmë janë realizuar, ndërsa institucionet vazhdojnë intensivisht punën edhe për hapat që ndodhen në grejs-period deri në qershor dhe dhjetor 2026”, deklaroi më tej Sali.
Zv/kryeministri i parë Sali tha se ajo që është e rëndësishme sot është se shteti ynë po pozicionohet ndër vendet me performancën më të mirë në rajon sa i përket realizimit të Agjendës Reformuese.
“Dhe rezultatet nuk janë abstrakte.
Ato tashmë ndihen në sektorë konkretë.
Kemi:
• metodologji të re për financimin e arsimit fillor dhe të mesëm;
• internet dhe pajisje IT në 160 shkolla fillore;
• avancim të shërbimeve digjitale dhe identitetit elektronik;
• reforma në menaxhimin e financave publike;
• transparencë më të madhe institucionale;
• ulje të procedurave byrokratike;
• dhe investime më të strukturuara në zhvillimin njerëzor dhe digjital.
Këto reforma nuk janë vetëm pjesë e procesit evropian.
Këto reforma janë investim direkt në funksionimin e shtetit dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.
Nga 65,7 milionë eurot e siguruara:
• 30,6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror;
• ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për projekte zhvillimore dhe investime strategjike përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.
Kjo nënkupton më shumë investime në infrastrukturë, energji, digjitalizim, arsim dhe zhvillim njerëzor.
Gjithashtu, ky rezultat është dëshmi se shteti ka kapacitet jo vetëm të planifikojë reforma, por edhe t’i realizojë ato në praktikë”, ka deklaruar Sali.
Sali tha se Integrimi evropian nuk është më vetëm aspiratë politike.
“Sot ai po shndërrohet në investime konkrete, mbështetje reale dhe mundësi të drejtpërdrejta për qytetarët tanë.
Rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet prioriteti ynë strategjik dhe përkushtim afatgjatë i shtetit.
Ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtën përgjegjësi dhe dinamikë, sepse besojmë se reformat nuk ndërtojnë vetëm progres në procesin evropian, por ndërtojnë edhe institucione më të forta dhe një shtet më funksional për qytetarët tanë”, tha Sali.
Ai tha se ky rezultat nuk do të thotë se puna ka përfunduar, po përkundrazi kjo është motiv shtesë për të vazhduar me ritëm edhe më të fuqishëm.



