RD e Kongos ndan 120 milionë dollarë për viktimat e pushtimit të paligjshëm të Ugandës

Republika Demokratike e Kongos ka ndarë 120 milionë dollarë si dëmshpërblim për viktimat e pushtimit të paligjshëm nga Uganda të pjesëve të vendit në fillim të viteve 2000, transmeton Anadolu.

Në fazën e parë, njoftoi Ministria e Drejtësisë e vendit, qeveria synon të ndajë nga 30 milionë dollarë për financimin e projekteve të infrastrukturës komunitare në secilën prej zonave të prekura në katër province, përkatësisht Tshopo, Ituri, Bas-Uele dhe Haut-Uele.

Do të financohen projekte në fushën e shëndetësisë, arsimit, furnizimit me ujë dhe zhvillimit socio-ekonomik. “Këto fonde do të përdoren për të mbështetur projekte komunitare që synojnë nderimin e kujtimit të viktimave dhe forcimin e kohezionit social”, thuhet në deklaratë.

Ministri shtetëror i Drejtësisë, Guillaume Ngefa, premtoi menaxhim transparent të fondeve dhe konsultime me komunitetet përfituese. “Dëmshpërblimi është një detyrë e drejtësisë dhe përgjegjësi e shtetit”, tha ai.

Sa i përket dëmshpërblimit individual, ministria tha se ai do të shqyrtohet në fazën e dytë të zbatimit, e cila do të nisë sapo të përfundojnë auditimi dhe verifikimi i listave të viktimave që kanë të drejtë për dëmshpërblim.

Ky zhvillim vjen në kuadër të zbatimit të një vendimi të vitit 2022 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila urdhëroi Ugandën t’i paguajë Kongos 325 milionë dollarë dëmshpërblim për rolin e saj në konfliktin në pjesën lindore të vendit midis viteve 1998 dhe 2003.

Gjykata vendosi se Uganda kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare kur trupat e saj pushtuan pjesë të Kongos lindore dhe mbështetën grupe të tjera të armatosura në vend. Gjykata urdhëroi Ugandën ta paguajë shumën në pesë këste vjetore prej 65 milionë dollarësh, duke filluar nga shtatori i vitit 2022.

Sipas Ministrisë kongoleze të Drejtësisë, Uganda deri më tani ka paguar gjithsej 260 milionë dollarë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button