Vuçiq: Serbia do të nisë prodhimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi brenda një viti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se Serbia brenda një viti mund të nisë prodhimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi, duke theksuar se Beogradi është i gatshëm të bashkëpunojë me Uzbekistanin edhe në këtë fushë, transmeton Anadolu.
Vuçiq e bëri këtë deklaratë në Forumin e Biznesit Serbi-Uzbekistan në Beograd, gjatë një fjalimi para përfaqësuesve të biznesit uzbek.
“Në industrinë e mbrojtjes mund të arrijmë rezultate të mëdha. Ne po përparojmë në industrinë tonë të mbrojtjes, po marrim transferim teknologjie nga disa fuqi, ndërsa ne u ofrojmë teknologji të tjerëve”, tha Vuçiq.
Gjatë fjalimit, ai pyeti ndihmës ministrin e Mbrojtjes për Burimet Materiale, Nenad Miloradoviq, se brenda sa kohe Serbia mund të nisë prodhimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi, duke theksuar se Serbia tashmë prodhon raketa me rreze të shkurtër veprimi.
Miloradoviq u përgjigj se prodhimi mund të nisë brenda një viti.
“Brenda një viti do të nisim prodhimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju edhe në këtë drejtim”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se në Serbi rrallë flitet për informacione të tilla, por se ato, sipas tij, tregojnë përparimin teknologjik, industrial dhe “thelbësor” të vendit.
“Ekspertët tanë tashmë kanë arritur shumë dhe besoj se, siç thashë, brenda një viti mund ta realizojmë edhe këtë. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe në këtë fushë me vëllezërit dhe miqtë tanë nga Uzbekistani”, tha Vuçiq.


