VLEN uron pavarësinë e RMV-së
“Në ditën kur shënojmë 33-vjetorin e pavarësisë së Republikës së përbashkët të Maqedonisë së Veriut, Koalicioni VLEN i përcjell urime të gjithë qytetarëve. Kjo ditë është simbol i vendosmërisë dhe aspiratës sonë për demokraci, liri dhe mirëqenie.
Edhe pas 33 vitesh pavarësi dhe 23 vitesh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, për fat të keq, ende hapen çështje për përdorimin e gjuhës amtare të shqiptarëve, një arritje qytetëruese dhe përfitim demokratik që nuk duhet të vihet në pikëpyetje në shekullin XXI”, thuhet ne njoftimin e koalicionit VLEN.
“Gjenerata jonë ka detyrim historik të përballet me korrupsionin endemik politik dhe të ndërmarrë hapa vendimtarë për reforma që do të rikthejnë kapacitetet e institucioneve të dëmtuara shtetërore. Vetëm përmes transparencës, përgjegjshmërisë dhe përkushtimit ndaj të mirës së përbashkët, mund të sigurojmë një të ardhme të ndritur për të gjithë qytetarët tanë, pavarësisht përkatësisë etnike.
Në këtë ditë të rëndësishme, koalicioni VLEN u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe faktorëve politikë të kultivojnë frymën e unitetit, tolerancës dhe bashkëpunimit. Vetëm kështu do të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri që e meritojmë – një shoqëri me të drejta të barabarta, mundësi dhe stabilitet.
Gëzuar 8 Shtatorin, Ditën e Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut!”, thuhet ne njoftimin e koalicionit VLEN.