VLEN: Shqipëria dhe Kosova 3.5 herë më shumë investime në Maqedoni se Serbia

Sot po flasim për një ndryshim të orientimit ekonomik, politik dhe strategjik të vendit. Po flasim për dallimin mes një politike që në të kaluarën e mbante Maqedoninë e Veriut të lidhur me konceptin e Ballkanit të Hapur dhe një politike që sot vendos në plan të parë bashkëpunimin me Kosovën, Shqipërinë dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Shifrat flasin qartë!
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, Kosova ka investuar 2.4 milionë euro, Shqipëria 5.14 milionë euro, ndërsa Serbia 2.1 milionë euro. Kjo nënkupton se investimet e përbashkëta nga Kosova dhe Shqipëria arrijnë në 7.54 milionë euro, rreth 3.5 herë më shumë se investimet nga Serbia.
Ky është një tregues i rëndësishëm i potencialit ekonomik të bashkëpunimit shqiptar. Për ne, këto nuk janë vetëm statistika. Janë dëshmi se lidhjet ekonomike me Kosovën dhe Shqipërinë kanë hapësirë të madhe për zhvillim dhe se duhet të mbështeten me politika konkrete.
Të nderuar përfaqësues të mediave
Për vite me radhë, qytetarët dëgjuan për Ballkanin e Hapur, për takime, deklarata dhe fotografi politike. Sot, ne kërkojmë që bashkëpunimi rajonal të matet me rezultate konkrete, me investime, me rrugë të lidhura, me kufij të hapur dhe me mundësi më të mëdha për bizneset dhe qytetarët.
Ne nuk kemi nevojë për projekte që prodhojnë fotografi politike. Kemi nevojë për projekte që prodhojnë zhvillim ekonomik!
Prandaj, orientimi ynë është Procesi i Berlinit, integrimi evropian dhe forcimi i lidhjeve me Kosovën dhe Shqipërinë.
Në këtë kontekst e konsiderojmë të rëndësishëm edhe faktin që raporti i fundit i Komisionit Evropian nuk e përmend termin “Bota serbe”, ndërsa vëmendje i kushton më shumë Procesit të Berlinit dhe projekteve të ndërlidhjes rajonale.
Një nga dëshmitë konkrete të kësaj qasjeje është projekti “One Stop Shop” me Kosovën si dhe angazhimi për pesë pika të përbashkëta kufitare hyrje- hyrje me Shqipërinë, Korridori 8 si arterie e madhe që lidhë shqiptarët mes veti. Kjo është politika që qytetarët e kuptojnë dhe e ndiejnë: më pak pritje në kufi, më shumë qarkullim, më shumë tregti dhe më shumë mundësi ekonomike.
Por ndryshimi nuk është vetëm në orientimin ekonomik. Është edhe në mënyrën se si trajtohen marrëdhëniet me biznesin dhe përgjegjësia institucionale.
Qëndrimi i VLEN-it është i qartë: nuk pranojmë asnjë lidhje të politikës me interesa të dyshimta biznesore, pavarësisht se nga vijnë ato. Nuk kemi afera korruptive me kompani serbe dhe nuk kemi arsye të mbrojmë trashëgiminë politike të së kaluarës.
BDI duhet t’u përgjigjet qytetarëve për akuzat dhe dyshimet që janë ngritur lidhur me marrëdhëniet e funksionarëve të saj me qarqe të caktuara biznesore. Ne nuk do të lejojmë që këto çështje të relativizohen apo të mbulohen me retorikë politike.
Dallimi është thelbësor: ne duam ekonomi të hapur për investime, por institucione të mbyllura ndaj korrupsionit dhe ndikimeve të nëntokës.
Të nderuar përfaqësues të mediave,
VLEN nuk e mat suksesin me numrin e takimeve politike, por me investimet, projektet dhe përfitimet që qytetarët i shohin në jetën e përditshme.
Ky është orientimi që përfaqësojmë: lidhje më të forta shqiptare në ekonomi, partneritet evropian në politikë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit.



