Rusi, rrëzimi i një avioni ushtarak në rajonin e Siberisë shkakton vdekjen e të gjithë 17 personave në bord

Një avion ushtarak është rrëzuar në Kemerovo, në rajonin e Siberisë në Rusi, duke shkaktuar vdekjen e të 17 personave në bord, raportojnë mediat ruse, transmeton Anadolu.
Duke cituar një burim, gazeta “Izvestia” raportoi se të 17 personat kanë humbur jetën në rrëzimin e avionit, i cili paraprakisht është identifikuar si një aeroplan ushtarak i tipit An-12, pranë fshatit Yagunovo, në jug të kryeqytetit rajonal.
Duke iu referuar gjithashtu dëshmisë së një dëshmitari okular, raportimi thotë se avioni është përfshirë nga flakët, më pas ka humbur lartësinë me shpejtësi dhe ka shpërthyer në momentin e përplasjes me tokën.
Guvernatori i Kemerovës, Ilya Seredyuk, tha në Telegram se në rrethin Yagunovo të rajonit ka ndodhur një “incident ajror”, duke shtuar se është nisur drejt vendit të ngjarjes, ku ndodheshin tashmë shërbimet e emergjencës.
“Autoritetet rajonale po ofrojnë gjithë ndihmën e nevojshme. Rrethanat e incidentit po hetohen nga autoritetet përkatëse”, shtoi Seredyuk.
Më vonë, në një mesazh me video, ai tha se avioni ishte duke kaluar nëpër rajon para se të rrëzohej.
Ministria ruse e Mbrojtjes ende nuk e ka komentuar incidentin.



