Raport: Moti ekstrem ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 910 mijë njerëzve gjatë 30 viteve

Gati 10 mijë ngjarje ekstreme të motit shkaktuan vdekjen e më shumë se 916 mijë personave dhe rreth 4,7 trilionë dollarë humbje të drejtpërdrejta ekonomike në mbarë botën gjatë periudhës 1996-2025, njoftoi organizata gjermane Germanwatch në një raport të publikuar në samitin e klimës COP31 në Türkiye.

“Indeksi CRI 2027 hedh dritë mbi koston gjithnjë e më të madhe të mosveprimit. Ai nxjerr në pah pasojat në rritje njerëzore dhe ekonomike të ngjarjeve ekstreme të motit”, tha organizata.

Indeksi i Rrezikut Klimatik i renditi Dominikën, Mianmarin dhe Hondurasin si vendet më të goditura gjatë periudhës 30-vjeçare. Nëntë nga dhjetë vendet më të prekura ishin ekonomi me të ardhura mesatare, ndërsa Bahamet ishte i vetmi vend me të ardhura të larta në këtë grup.

Vetëm gjatë vitit 2025, 367 ngjarje ekstreme të motit shkaktuan vdekjen e afro 35 mijë personave, prekën më shumë se 100 milionë njerëz dhe shkaktuan mbi 158 miliardë dollarë humbje të drejtpërdrejta. Xhamajka, Sri Lanka dhe Spanja ishin vendet më të goditura atë vit.

“Valët e të nxehtit ishin, me një diferencë të madhe, ngjarjet ekstreme të motit më vdekjeprurëse në vitin 2025”, tha Germanwatch. Ato shkaktuan vdekjen e më shumë se 24 mijë personave, duke përbërë afro 70 për qind të viktimave të raportuara. Organizata tha se valët e të nxehtit “raportohen shumë më pak sesa duhet në rajone si Afrika Subsahariane”.

Stuhitë shkaktuan dëmet më të mëdha ekonomike, me 64,8 miliardë dollarë humbje të drejtpërdrejta në vitin 2025. Ato përbënin 58 për qind të humbjeve gjatë periudhës 30-vjeçare të përfshirë në indeks.

“COP31 duhet të sjellë veprime ambicioze për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, humbjet dhe dëmet, si dhe zbutjen e tyre”, tha Germanwatch, duke u bërë thirrje ndotësve më të mëdhenj dhe prodhuesve të lëndëve djegëse fosile të rrisin mbështetjen financiare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button