Teuta Arifi: Jam e pafajshme

Ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish-kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas seancës së sotme, Arifi është deklaruar e pafajshme, duke kritikuar procesin gjyqësor dhe mënyrën se si, sipas saj, po trajtohen qytetarët që kanë qenë të angazhuar me kontrata në vepër.
“Është kallëzim penal nga ana e kreut aktual të komunës dhe ishit brenda, i dëgjuat dëshmitarët që treguan se kanë shkuar, kanë qenë në vend të punës dhe është e ulët, e turpshme që qytetarët e këtij qyteti që kanë bërë një punë, cila qoftë ajo, t’i marrin dhe t’i tërheqin gjyqeve për t’iu marrë deklarata nëpër gjykata”, tha Teuta Arifi.
Ajo theksoi se nuk ka vepruar me qëllim të keq dhe se, gjatë mandatit të saj, ka synuar të jetë në shërbim të qytetarëve.
“Nuk është problem, unë nuk kam bërë asnjë gabim me tendencë. Kam tentuar gjithnjë të jem ndihmesë e qytetarit tim. Do ta ndiqni procesin dhe besoj se autoritetet gjyqësore do të kenë integritetin të vendosin si duhet për çdo qytetar të këtij shteti”, deklaroi Arifi.
Ndërkohë, në seancën e sotme dëshmuan katër persona të angazhuar më parë me kontrata në vepër në sektorë të ndryshëm të komunës, si dhe tre revizorë të brendshëm.
Sipas aktakuzës, Arifi dyshohet se ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Tetovës për rreth një milion euro përmes lidhjes së 546 kontratave në vepër. Prokuroria pretendon se për 268 persona nuk ka pasur raporte për punën e kryer, ndërsa për 248 të tjerë raporte të tilla kanë ekzistuar.



