VLEN-i shpesh në Uashington, “Lista e zezë” Frontin e stopon

Ndoshta jemi njëri ndër popujt e rrallë në botë që kemi emra fëmijësh Klinton dhe kemi përmendore e rrugë që mbajnë emrin e ish presidentit amerikan Bill Klinton. Dilemë është se e duke qenë shtet i varfër ekonomikisht, a nevojitet shpenzim i parave nga buxheti i shtetit për vizita të shpeshta në Uashington. Mbështetja e hapur për të “djathtën e vijës së ashpër” nga administrata Tramp, mund të jetë e disfavorshme, pasi ajo mund të fuqizohet në Ballkan dhe kjo mund të nënkuptojë kufizim të të drejtave kolektive të shqiptarëve në shtetet në të cilat shqiptarët nuk janë shumicë.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Liderët e VLENI-t, gjatë janarit, më shpesh kanë udhëtuar në Uashington sesa në Prishtinë dhe Tiranë! Së pari në inaugurimin e presidentit amerikan, Donalld Tramp, dhe më pas në “Lutjet e mëngjesit”, të organizuara në Uashington. Fotografime me bollëk dhe kurtuazi diplomatike sa të duash.

VLEN-i me Amerikën, shumë i ekzaltuar, Fronti i “larguar”

Shqiptarët, gjatë historisë, sidomos pas luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe asaj në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001, kanë demonstruar një qasje me respekt të thellë, admirim dhe me pietet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndoshta jemi njëri ndër popujt e rrallë në botë që kemi emra fëmijësh Klinton dhe kemi përmendore e rrugë që mbajnë emrin e ish presidentit amerikan Bill Klinton. Gjithashtu edhe admirimi ndaj ish presidentit amerikan, Udro Uillson, i cili ka kontribuar që Shqipëria në vitin 1912 ta fitojë pavarësinë është tepër i madh. E arsyeshme, sepse kanë kontribuar në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve. Politikanët shqiptarë veprojnë ngjashëm, madje sillen edhe me përulje ndaj politikës amerikane. Në këtë sens ishin vizitat e shpeshta të liderëve shqiptarë të VLEN-it, të cilët – njësoj si kryeministri Hristijan Mickoski – udhëtuan dy herë në Uashington brenda një periudhe të shkurtër. Natyrisht, mbetet dilema a duheshin kaq shumë vizita kur brenda vendit ndodhnin zhvillime të shumta dhe që kërkojnë lidership të shqiptarëve, sepse qeverisja ende është në konsolidim e sipër, ndërsa VMRO-DPMNE-ja sillet si parti dominuese në pushtet, për shkak të numrit të madh të deputetëve.

Dilema tjetër është se duke qenë shtet i varfër ekonomikisht, a nevojitet shpenzim i parave nga buxheti i shtetit për vizita të këtilla, një pjesë e tyre të kontraktuara përmes grupeve të ndryshme të lobimit dhe të paguara me shuma parash. Shto kësaj faktin se ato ishin të karakterit formal dhe jothelbësor diplomatik. Për të qenë korrekt, duhet thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi publikun se në SHBA ka udhëtuar me para të buxhetit personal dhe jo të shtetit.

VLEN-i edhe me Kurtin, edhe me Grenellin

Në njërën anë, kishim ekzaltim politik të VLEN-it nga vizitat e shpeshta në Uashington, duke “ia heq kapelën” administratës së Trampit, ndonëse pozicioni i VLEN-it është dual, pasi shfaq afërsi me administratën e re amerikane, e cila përmes emisarit të saj special, Riçard Grenell, deklaron qëndrime tepër agresive dhe kundërshtuese ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ndërkaq, botërisht dihet se VLEN-i dhe Kurti ose Vetëvendosja kanë raporte të shkëlqyera, madje Kurtit i jepet epiteti i themeluesit ose vulosësit të koalicionit vlenist, për të mos thënë se ishte patronazhi ose “babait” i tij.

Në anën tjetër nga Fronti Europian përkatësisht BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, nuk pati asnjë vizitë, ndërsa është fakt se një pjesë e politikanëve të këtij koalicioni janë në “Listën e zezë” amerikane! Kjo do të thotë se politikanët opozitarë shqiptarë nuk u ftuan fare në inaugurimin formal presidencial, por edhe nuk tentuan të bëjnë përpjekje për pjesëmarrje. Aq më tepër që dihet se kjo parti kishte Bujar Osmanin ministër të Jashtëm, i cili në një vit ishte edhe kryesues i OSBE-së. Me ironi thuhej se BDI-ja nuk udhëton në Uashington, sepse tani eksponentët e saj, duke qenë në opozitë, duhej të paguanin me paratë e veta, të cilat jo që nuk i kanë. Kollaj udhëtonin me paratë e popullit.

Mbase janari i vitit 2025 e përcakton më së miri raportin e projektuar të politikës shqiptare me Uashingtonin. Balanca do të ishte më e mirë, që do të thotë se nuk nevojitet as ekzaltim, por as qasje indiferente.

Vizitat e shpeshta s’janë “shkop” magjik

Nevoja e ruajtjes së marrëdhënieve të mira me SHBA-në, pra me kanale të ndryshme brenda administratës amerikane, nuk kontestohet se është e domosdoshme, por se vizitat vetvetiu janë “shkopi magjik” i ndërtimit dhe thellimit të këtyre marrëdhënieve, nuk ka të bëjë me të vërtetën.

Shteti amerikan është ndërtuar mbi bazën e punës dhe atdhedashurisë, prandaj politika shqiptare do ta fitonte respektin nga politika amerikane nëse angazhohet për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për demokraci funksionale.

Rusia dhe e djathta ekstreme rrezikon shqiptarët

Gjithashtu, duhet marrë në konsideratë edhe kritikat e zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, i cili e kritikoi Europën duke thënë se “Kërcënimi që më shumë e rrezikon Europën nuk është Rusia. Nuk është Kina. Nuk ka aktorë të tjerë të jashtëm. Ajo që më shqetëson është kërcënimi nga brenda, largimi i Europës nga disa prej vlerave të saj themelore, vlerat e përbashkëta që ndan me Shtetet e Bashkuara”! Kjo kritikë mund të vlejë edhe për Ballkanin, megjithëse rreziku që u kanoset shqiptarëve nga Rusia, e cila e shtrin ndikimin e saj në hapësirën ballkanike, nuk është për t’u nënçmuar. Nuk mund të reduktohet në analogjinë me Rumaninë, e cila sipas zëvendëspresidentit amerikan i kishte anuluar zgjedhjet presidenciale për shkak të provave të dezinformimit rus. Ndikimi i Rusisë nuk mund të thjeshtësohet në “disa qindra mijëra dollarë reklama digjitale nga një vend i huaj, që e shkatërrojnë demokracinë”, pasi shqiptarët janë aleatë të Perëndimit dhe prishja e balancimeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike mund të prodhojë kriza të reja në Ballkan, kundër të cilave angazhohet administrata e re amerikane.

Mbështetja e hapur ose kërkesa për lejimin e hapësirës për të “djathtën e vijës së ashpër” nga administrata Tramp gjithashtu mund të jetë e disfavorshme nëse nënkupton se ajo mund të fuqizohet në Ballkan, pasi kjo mund të nënkuptojë kufizim të të drejtave kolektive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës ose në Serbi, në Malin e Zi e në shtetet në të cilat shqiptarët nuk janë shumicë. Pasi demokracia mund të lejojë të fitojnë “forcat e djathta ekstreme”, por kjo “votë hipotetike demokratike” do të ishte fatale për statusin e shqiptarëve dhe do të prodhonte kriza në drejtim të kohezionit të brendshëm shoqëror edhe në Maqedoninë e Veriut.

Ballkani e ka provuar recetën e “votës demokratike”, mbështetëse e forcave ekstreme politike. Mbështetja e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e verifikuar me votën e popullit, por dëmi i tij ka qenë jashtëzakonisht i madh, me bilanc mijëra të vdekur, mijëra të plagosur, mijëra refugjatë e dëmtime të shtëpive e objekteve, varfëri të madhe e shumë pasoja, disa prej të cilave Ballkani i vuan ende. Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, nuk mendojmë se mund të ketë ngritje analogjike të një force radikalisht ekstreme të djathtë politike, siç ishte Partia Socialiste e Serbisë e Millosheviqit, por versione të saj, që gravitojnë drejt polit djathtist politik, shohim çdo ditë në skenën politike. Millosheviqë të vegjël, por fatmirësisht pa takat, Ballkani ka pasur gjithmonë me bollëk.

Prandaj, siç duhet bërë balancim dhe kujdes në raport me Uashingtonin, me idenë që të mos shfaqet servilizëm, sepse amerikanët nuk e çmojnë atë, gjithashtu politikanët shqiptarë, sidomos ata të klasës në pushtet, duhet të baraspeshojnë edhe mes Uashingtonit dhe Brukselit. Hemisfera perëndimore nënkupton euro-amerikanizmin! Ekuilibrimi gjeopolitik i shqiptarëve në fazën post-trampiste është më se i domosdoshëm.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button