Durmishi: Shporta qeveritare më e lire për 13%! Masa konkrete nëse tregtarët i rrisin marzhat

Shporta mesatare e konsumit është përgatitur që vitin e kaluar, por ende nuk mund të miratohet për shkak të mungesës së të dhënave në kohë nga institucionet përkatëse. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, njoftoi se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Socio-Ekonomiko ajo do të vihet në rend dite, ndërsa pas miratimit do të publikohet në nivel mujor. Durmishi bëri të ditur se bëhet fjalë për një shportë mesatare, e jo minimale, e cila sipas llogaritjeve është rreth 13 për qind më e lirë se ajo e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
“Kemi probleme teknike me sigurimin e informacioneve në kohë nga institucionet relevante. Edhe ne mund të publikojmë shportën secilin muaj, para se të mbaroj muaji të themi se kaq është shporta e konsumit sipas analizave tona, megjithatë, për të qenë sa më të sinqertë për të mos hapur dezinformata në opinion, duam të marrim informata nga institucionet relevante nga ku i marrim informacionet me vonesë”, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Sa i përket çmimeve dhe inflacionit, Durmishi informoi se analizat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut kanë treguar një rritje minimale të çmimeve të produkteve bazë ushqimore prej rreth 0,4 për qind, si dhe ulje të marzhave bruto në rreth 15 për qind. Rritja më e madhe është vërejtur te vezët, vaji, djathi dhe një pjesë e produkteve higjienike, ndërsa te frutat dhe perimet ka ulje. Ministri paralajmëroi se nëse vërehen shkelje më të mëdha nga ana e tregtarëve, do të pasojnë masa konkrete, siç ka ndodhur tashmë në raste të caktuara me disa energjentë.
Pas mbledhjes reagoi kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Slobodan Trendafilov sipas të cilit këto çështje me rëndësi për qytetarët nuk u ngriten nga askush.
“Fatkeqësisht, në këtë mbledhje të Këshillit Ekonomiko-Social ua lamë partnerëve të tjerë socialë të flasin për kostot e jetesës dhe rritjen e tyre, si dhe për mbrojtjen e fuqisë blerëse të punëtorëve, megjithatë askush nuk hapi një pikë të tillë në rendin e ditës. Vlera e shportës minimale sindikale që nga fillimi i vitit është rritur për mbi 3.300 denarë, nëse në një familje ka dy punëtorë, me atë që ai e quajti “harmonizim i mjerueshëm i pagës minimale” prej 1.600 denarësh, atëherë tani u mungojnë rreth njëqind denarë për të mbuluar vetëm këtë rritje të vlerës së shportës minimale sindikale, e cila është për një familje katëranëtarëshe dhe përfaqëson kushtet më themelore për jetesë”, u shpreh Slobodan Trendafilov – kryetar i Lidhjes së Sindikatave.
Në mbledhje e Këshillit Socio Ekonomik janë shqyrtuar disa pika të rëndësishme, ndër të cilat projektligji për shtesë rinore, ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor, Plani Operativ për Punësim për vitin 2026, me vlerë rreth 40 milionë euro, i cili parashikon masa për vetëpunësim, vende të reja pune dhe trajnime, Ligjin për mbrojtje nga duhani dhe raportet mbi punën e Agjencisë për Punësim, me qëllim përmirësimin e tregut të punës dhe uljen e papunësisë.



