VLEN: BDI po bllokon Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat për interesa partiake

VLEN akuzoi BDI-në se po pengon miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e përdorur Marrëveshjen e Ohrit për interesa partiake dhe jo për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Në një komunikatë, VLEN deklaron se BDI “i është vërsulur përsëri Marrëveshjes së Ohrit, sikur ta kishte tapi të vetën”, duke shtuar se partia që për 22 vjet ishte në pushtet nuk e miratoi ligjin, edhe pse kishte mundësinë ta bënte.

“Për 22 vjet, BDI-ja e kishte edhe gurin, edhe arrën. Kishte ministra, deputetë dhe pushtet deri në fyt. Mund ta miratonte ligjin kur të donte, por nuk e bëri. Jo se nuk dinte. Nuk donte”, thuhet në reagim.

Sipas VLEN-it, mungesa e një ligji për përfaqësimin e drejtë ka shërbyer për kontroll politik mbi punësimet në administratë.

“Pa ligj, vendet e punës i ndanin sikur të ishin dhuratë nga Ali Ahmeti. Një vend pune, një familje peng. Nëse ishe me ta, dera hapej. Nëse nuk ishe, rrije jashtë”, thekson koalicioni.

VLEN akuzon më tej BDI-në se tani po bllokon ligjin që ndodhet në procedurë dhe se mekanizmin e Badenterit po e përdor për qëllime partiake.

“Mekanizmin e Badenterit, i cili duhet t’i mbrojë interesat e bashkësive, BDI-ja e ka shndërruar në kërbaç partiak, me të cilin godet çdo zgjidhje që nuk mban vulën e saj”, thuhet në komunikatë.

Koalicioni vlerëson se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e asnjë partie politike dhe se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është e drejtë e qytetarëve dhe obligim i shtetit.

“Për 22 vjet nuk e bënë ligjin. Tani po përpiqen ta bllokojnë. Ligji duhet të ecë përpara, pa shantazhe e pa bllokada”, përfundon reagimi i VLEN-it.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button