(VIDEO) Shtetas të huaj gjuajnë dhitë e egra në “Mavrovë” dhe ua pinë gjakun

“Terreni i pjerrët, ngjitjet e pafundme, era e paparashikueshme dhe seancat e gjata përcaktojnë çdo ditë në këto male. Ky është një gjueti e vërtetë malore, ku durimi, përpjekja fizike dhe marrja e vendimeve të mira janë po aq të rëndësishme sa edhe aftësia për të qëlluar”, thuhet në përshkrimin e videos, në të cilën shfaqet gjuetia e dhive të egra në Parkun Kombëtar “Mavrovë”.

Shtetas të huaj gjuajnë dhi të egra në malet e Maqedonisë dhe pinë gjakun e kafshëve të vrara. Kjo mund të shihet në një video të publikuar në YouTube para tetë muajsh, me titullin “Gjueti e klasit botëror e dhive të egra në malet e Maqedonisë”.

Videoja është publikuar në kanalin YouTube “Aventurat e gjuetisë së Pedro Ampueros”, ku shihen disa gjuetarë me pushkë me dylbi optike duke gjuajtur dhi të egra. Më pas, në vazhdimin e filmit, i cili zgjat rreth gjysmë ore, shfaqen pamje ku ata mbledhin gjakun e një dhie të egër të vrarë, mbushin një termos me të dhe më pas e pinë.

“ Në këtë film udhëtojmë thellë në malet e Maqedonisë për të gjuajtur dhinë e egër ballkanike, së bashku me miqtë tanë të mirë nga ‘Spartan Preciz’. Terreni i pjerrët, ngjitjet e pafundme, era e paparashikueshme dhe seancat e gjata përcaktojnë çdo ditë në këto male. Ky është një gjueti e vërtetë malore, ku durimi, përpjekja fizike dhe marrja e vendimeve të mira janë po aq të rëndësishme sa edhe aftësia për të qëlluar”, thuhet në përshkrimin e videos.

Më tej, në përshkrim janë paraqitur karakteristikat e dhisë së egër ballkanike, për të cilën thuhet se është një nga speciet më të rëndësishme malore në Evropë.

“Duke jetuar në terren ekstrem, këto kafshë e vënë në provë çdo gjuetar që hyn në botën e tyre. Afrimi nuk është kurrë i lehtë dhe çdo pemë bëhet një sfidë mendore dhe fizike. Kjo gjueti kishte të bënte me përshtatjen ndaj kushteve, besimin te përvoja dhe pranimin e procesit, në vend që të nxitohej drejt rezultatit. Përtej vetë gjuetisë, ky udhëtim kishte të bënte me miqësinë, vlerat e përbashkëta dhe kryerjen e gjërave në mënyrën e duhur. Gjuetia me njerëz që ndajnë të njëjtin respekt për kafshën, malet dhe gjuetinë e bën çdo moment më domethënës. Maqedonia na ofroi peizazhe të paharrueshme, mundësi të fituara me shumë mund dhe kujtime që do të mbeten me ne përgjithmonë”, thuhet në fund të tekstit.

Një moment nga videoja tregon se ajo është xhiruar në Parkun Kombëtar “Mavrovë”, pasi gjuetarët e huaj shoqërohen nga një automjet me shenjat e institucionit publik.

Ndërkohë, videoja është publikuar nga agjencia e lajmeve “Meta”, në një artikull ku përcillet reagimi i organizatës qytetare “Eko-svest”, e cila reagon ndaj vakumit ligjor në të cilin ndodhet ky thesar malor i Maqedonisë.

Lidhur me videon dhe gjuetinë e dhive të egra, drejtori i Parkut Kombëtar “Mavrovë”, Haris Ibraimi, në një deklaratë për “360 Stepeni” thotë se bëhet fjalë për asgjësim sanitar të kafshëve të egra për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

Sipas tij, asgjësimi është pjesë e Programit për masat e mbarështimit, i cili miratohet nga Ministritë e Mjedisit dhe të Bujqësisë dhe lidhet me monitorimin e gjendjes shëndetësore të faunës së egër në park.

“Kur marrim pëlqimin për asgjësimin e një numri të caktuar kafshësh të egra, e fillojmë procesin. Këtë e publikojmë dhe aplikojnë shoqata gjuetie nga vendi ynë ose nga jashtë. Nëse të huajt shprehin interes, u dërgojmë ftesë. Kur kryhet asgjësimi, lëvizja për këtë qëllim nëpër parkun kombëtar është e detyrueshme të bëhet në praninë tonë”, thotë Ibraimi.

Ai shton se gjuetarët në video janë pjesë e një shoqate gjuetie nga Spanja.

Mostrat e kafshëve të gjuajtura, siç thotë drejtori, dërgohen për analiza në institutet veterinare.

Nga organizata qytetare “Eko-svest” sot i kanë bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit që urgjentisht ta përfundojnë procedurën për rishpalljen e parkut, ndërsa ndërkohë të vendosin moratorium për të gjitha aktivitetet. Përfaqësuesit e organizatës sot mbajtën një konferencë për shtyp, ku folën për problemin dhe paraqitën kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë dhe institucioneve kompetente.

“Pavarësisht detyrimeve ligjore, procesi për rishpalljen e tij ende nuk ka përfunduar. Kjo do të thotë se ‘Mavrovë’ vazhdon të mos ketë mekanizma kyç për menaxhim modern dhe efikas – ligj të ri, plan menaxhimi dhe plan hapësinor. Ndërkohë, vazhdojnë aktivitetet që mund të ndikojnë në vlerat natyrore të parkut, përfshirë prerjet komerciale të pyjeve, gjuetinë komerciale dhe mbështetjen e projekteve për hidrocentrale të vogla. Shqetësim shtesë shkakton edhe mospërputhja me gjetjet shkencore dhe zonimin e propozuar nga Studimi i valorizimit, i cili është përgatitur me fonde publike dhe donacionesh”, thonë nga “Eko-svest”.

Nga kjo organizatë shtojnë se nuk bëhet fjalë për një problem apo çështje të re. Sipas tyre, mbrojtja e “Mavrovës” ndiqet edhe në kuadër të Konventës së Bernës, ndërsa në vitin 2025 autoriteteve maqedonase u është dërguar një rekomandim për ndalimin e zhvillimit të ndërtimit të hidrocentraleve në Mavrovë dhe për rishpalljen urgjente të parkut.

“Eko-svest”, së bashku me 21 organizata, u kanë drejtuar pesë kërkesa institucioneve kompetente:

  • Të marrin urgjentisht përsipër procesin për rishpalljen e Parkut Kombëtar “Mavrovë”.

  • Projektligji të vendoset në diskutim publik dhe të vazhdojë procedura për miratimin e tij në Kuvend.

  • Menaxhimi i parkut të harmonizohet me gjetjet shkencore dhe zonimin e propozuar.

  • Të shpallet moratorium për aktivitetet dhe projektet që nuk janë në funksion të mbrojtjes së natyrës, derisa të vendoset një kornizë e plotë ligjore.

  • Të përmbushen detyrimet ndërkombëtare të shtetit, përfshirë rekomandimet në kuadër të Konventës së Bernës.

“‘Mavrovë’ është parku ynë kombëtar më i vjetër dhe një nga më të vlefshmit. Ai meriton mbrojtje të qartë, funksionale dhe të bazuar në ligj. Vonesa shumëvjeçare duhet të marrë fund. Nevojiten përgjegjësi institucionale dhe veprim urgjent”, thonë nga “Eko-svest”.

Siç shkruan “Meta”, sipas Ligjit për natyrën, të miratuar në vitin 2004, të gjitha zonat e mbrojtura duhej të rishpalleshin në periudhën deri në vitin 2010. Studimi i parë për rivlerësimin e “Mavrovës” është përgatitur nga viti 2011 deri në vitin 2013, ndërsa një ligj për rishpalljen është përgatitur në vitin 2015.

Megjithatë, siç theksojnë nga organizata, edhe pse teksti i ligjit ishte publikuar në ENER (Regjistri i Vetëm Kombëtar Elektronik i Rregulloreve), ai nuk u miratua kurrë, pasi u tërhoq nga Qeveria pa ndonjë shpjegim. Nga organizata paralajmërojnë se po kalojnë edhe dy vite nga vlefshmëria e studimit të ri që është përgatitur, për të cilin janë siguruar fonde edhe nga buxheti shtetëror.

“Parku ndodhet në një vakum ligjor, nuk ka ligj, as Plan menaxhimi dhe as Program për habitatet pyjore, të cilat janë dokumentet bazë për funksionimin normal të parkut dhe pa të cilat nuk guxojnë të kryhen aktivitete, si për shembull prerja e drurëve. Këto dokumente miratohen nga Ministria e Mjedisit, me qëllim që të sigurohet mbrojtje efikase e natyrës dhe biodiversitetit”, thotë Marko Guçevski nga “Eko-svest”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button