Suedia “diskriminoi” migrantët në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor, veçanërisht ato të komunitetit rom

Komiteti Evropian i të Drejtave Sociale ka bërë të ditur se Suedia diskriminoi migrantët vulnerabël nga vendet e Bashkimit Evropian (BE), shumica prej të cilëve i përkasin komunitetit rom, duke u mohuar atyre qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor, transmeton Anadolu.
Amnesty International njoftoi se komiteti konstatoi unanimisht se Suedia kishte shkelur Kartën Sociale Evropiane duke mos garantuar të drejtën për kujdes shëndetësor pa diskriminim.
Vendimi vjen pas një ankese të përbashkët të paraqitur në vitin 2023 nga Amnesty International dhe Medecins du Monde International, në të cilën pretendohej se Suedia u kishte mohuar në mënyrë sistematike migrantëve vulnerabël nga BE-ja qasjen në kujdesin shëndetësor të subvencionuar.
Sipas Amnesty International, komiteti konstatoi se kërkesa e Suedisë që qytetarët e BE-së të kenë sigurim shëndetësor nga vendi i tyre i origjinës prek në mënyrë disproporcionale migrantët vulnerabël, shumë prej të cilëve janë romë, si dhe përbën diskriminim indirekt.
Komiteti gjithashtu vendosi se Suedia kishte shkelur të drejtën për shëndet duke ua mohuar kujdesin shëndetësor një numri të konsiderueshëm migrantësh nga BE-ja për shkak se nuk kishin një sigurim të tillë, megjithëse shumë prej tyre nuk ishin në gjendje ta siguronin atë për shkak të diskriminimit sistematik në vendet e tyre të origjinës.
“Kjo është një fitore e madhe për të drejtat e njeriut të migrantëve vulnerabël nga BE-ja”, tha Anna Johansson, drejtoreshë e Amnesty International në Suedi.
“Për një kohë tepër të gjatë, migrantët vulnerabël nga BE-ja, përfshirë anëtarët e komunitetit rom, janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Suedia duhet ta mbyllë menjëherë këtë boshllëk diskriminues dhe të sigurojë qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor për të gjithë,” tha Johansson.
Amnesty International i bëri thirrje qeverisë suedeze të ndryshojë legjislacionin për të garantuar që të gjithë qytetarët e BE-së në vend, pavarësisht kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre ose nëse kanë sigurim shëndetësor në vendin e origjinës, të kenë të drejtë për kujdes shëndetësor të subvencionuar.
Ankesa dokumentoi 129 raste në të cilat romëve dhe migrantëve të tjerë vulnerabël nga BE-ja iu mohua kujdesi mjekësor i subvencionuar dhe në vend të kësaj u ngarkuan me koston e plotë të trajtimit, duke dekurajuar shumë prej tyre që të kërkonin kujdesin shëndetësor të nevojshëm.
Organizata për të drejtat e njeriut tha se ky vendim ka pasoja që shkojnë përtej Suedisë, duke argumentuar se ai duhet të shërbejë si një parim udhëzues për të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për të garantuar qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor pa diskriminim.
Pasi Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës të miratojë një rekomandim bazuar në këtë vendim, Suedia do të ketë dy vjet kohë për të raportuar mbi masat e ndërmarra për ta harmonizuar legjislacionin e saj me Kartën Sociale Evropiane.



