Sofja i përgjigjet Shkupit: Të mos ketë ultimatume

Bullgaria është e gatshme për bisedime me Maqedoninë e Veriut por pa ultimatume. Kështu presidentja e Bullgarisë Ilijana Jotova i është përgjigjur kërkesës së Ministrisë për Punë të Jashtme për takim bilateral me MPJ-në bullgare me qëllim tejkalimin e kontestit e cila bllokon rrugën drejt integrimit evropian të vendit. Sipas Jotovës, nuk është hera e parë që Maqedonia të këshillohet nga Komisioni Evropian apo nivel i tillë i përfaqësuesve nga Bashkimi Evropian por shpreson që këtë herë, Von der Leyen të ketë qenë e prerë me Mickoskin.
“Ne jemi gjithmonë të hapur për bisedime me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por bisedime pa ultimatume dhe pa hequr dorë nga politika evropiane. Bullgaria është anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe nuk mund të lejojmë që një shtet që ka nisur rrugën drejt Evropës, të mos i pranojë vlerat dhe virtytet e BE-së. Që biseda të jetë serioze, Mickoski duhet të njihet në detaje me politikën evropiane sa i përket zgjerimit dhe të mos i paraqes marrëdhëniet me Bullgarinë si një çështje ekskluzivisht dy palëshe”.- Ilijana Jotova – Presidente e Bullgarisë.

E derisa Shkupi pret konfirmim të takimit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, tema e euro integrimeve mbetet aktuale në vendin tonë. Nga LSDM i bëjnë me dije kryeministrit Hristijan Mickoski se edhe kryetarja e Komisionit Evropian Von der Leyen e ka konfirmuar tanimë identitetin maqedonas dhe nuk ka asnjë arsye për të mos lëvizur përpara. Reagimi i LSDM-së vjen pasi dje kryeministri Mickoski, u shpreh i pa kënaqur nga mesazhet e Von der Leyen se ndryshimet kushtetuese qëndrojnë në tavolinë.

“Mickoski thotë se nuk është i kënaqur nga porositë e Von der Leyen. I pa kënaqur është se i’a zbuluan gënjeshtrat. Nuk ka më gënjeshtra se diçka po mbron, sepse Qeveria e kaluar vetëm se e ka mbrojtur identitetin maqedonas. I vetmi që rrezikon interesin nacional është pikërisht ai, harami Mickoski. Sepse interesi nacional i Maqedonisë është anëtarësimi në BE. Premtoi kushte më të mira ndërsa për dy vite e gjysmë nuk arriti asgjë. Nuk ka garanci e as kornizë të re negociuese”. Deklaroi Maja Borozan – LSDM.

Por nga VMRO-DPMNE këto qëndrime i quajnë gënjeshtra e manipulime me opinionin. Akuzojnë se pikërisht Filipçe dhe mësuesi i tij Zoran Zaev janë tradhtarët dhe nënshkruesit e shitjes të gjithçkaje që ishte maqedonase.

“LSDM-ja e Filipçes dhe Zaevit janë kuislingët. Tani, pushteti i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja po përpiqet të sigurojë një pozitë më të mirë për Maqedoninë dhe rrugën e saj drejt BE-së. Pushteti i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja po përpiqet që Maqedonia të shkojë drejt BE-së me dinjitet, e jo duke shitur gjithçka që mund të shitet,” thanë nga VMRO-DPMNE.

Gjatë vizitës së saj në Shkup dhe pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen përshëndeti progresin e vendit në rrugën euro atlantike dhe reformat e kërkuara nga plani i rritjes. Megjithatë për të zhbllokuar procesin, Von der Leyen tha se në tavolinë qëndron kushti i vetëm, kërkesa për ndryshime kushtetuese./Alsat.mk

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button