Ministri i Jashtëm turk do të marrë pjesë në takimin e aleancës Turqi-Pakistan-Arabi Saudite në Riad

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan të hënën do të marrë pjesë në një takim në Riad të Komitetit Strategjik Politik dhe të Mbrojtjes, i krijuar në kuadër të Marrëveshjes së Mekës për Mbrojtjen e Përbashkët, një aleancë e themeluar në gusht nga Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme turke, në takimin e komitetit në kryeqytetin saudit do të marrin pjesë gjithashtu ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Selcuk Bayraktaroglu.
Në takim, Fidan pritet të paraqesë qëndrimet e Turqisë për institucionalizimin e aleancës dhe hapat që duhet të ndërmerren në ditët në vijim, si dhe vlerësime mbi kërcënimet ndaj paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.
Fidan pritet gjithashtu të shprehë qëndrimet e Turqisë për zhvillimet rajonale që lidhen me sigurinë kolektive të aleatëve dhe të theksojë se përparimi i arritur në punën e aleancës në periudhën e shkurtër që nga themelimi i saj është i rëndësishëm për vendosjen e një stabiliteti të qëndrueshëm në rajon.
Ai pritet të rikonfirmojë solidaritetin dhe mbështetjen e fortë të Turqisë për Arabinë Saudite përballë sulmeve të fundit të Huthive dhe të theksojë se veprimet provokuese që shënjestrojnë vendet e shenjta janë të papranueshme.
Fidan pritet gjithashtu të nënvizojë rëndësinë e aleancës jo vetëm për zhvillimin e një përgjigjeje të përbashkët dhe efektive ndaj kërcënimeve ekzistuese, por edhe për parandalimin e krizave rajonale.
Ai pritet të theksojë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve në rajon përmes mjeteve paqësore mbetet prioritet dhe se duhet të shmangen veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet.
Fidan pritet gjithashtu të ritheksojë rëndësinë e garantimit të lirisë dhe sigurisë së lundrimit përgjatë rrugëve ndërkombëtare të tregtisë dhe të tërheqë vëmendjen ndaj asaj që Ankaraja e cilëson si shënjestrim të vazhdueshëm nga Izraeli të përpjekjeve për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
– Marrëveshja e Mekës për Mbrojtjen e Përbashkët
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe princi i kurorës dhe kryeministri saudit Mohammed bin Salman nënshkruan Marrëveshjen e Mekës për Mbrojtjen e Përbashkët në Mekë më 7 gusht.
Marrëveshja pasqyron angazhimin e Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite për zhvillimin e zgjidhjeve rajonale për problemet rajonale dhe vizionin e tyre të përbashkët strategjik, të përqendruar në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ajo synon të forcojë sigurinë e tre vendeve përmes parandalimit dhe mbrojtjes kolektive.
– Komiteti Strategjik Politik dhe i Mbrojtjes
Komiteti Strategjik Politik dhe i Mbrojtjes, i përbërë nga ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes dhe shefat e Shtabeve të Përgjithshme të tri vendeve, u krijua për të udhëhequr aktivitetet në kuadër të marrëveshjes.
Komiteti zhvilloi takimin e parë në Stamboll më 31 gusht, nën mikpritjen e Turqisë.
Në takim u morën vendime themelore dhe u shqyrtua puna teknike për institucionalizimin e aleancës, përfshirë krijimin e sekretariatit të aleancës në Riad sa më shpejt të jetë e mundur.
Gjenerallejtënanti i pensionuar pakistanez Nauman Mahmood u propozua për të shërbyer si sekretari i parë i përgjithshëm i aleancës.
Ministrat e Jashtëm të Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite u takuan gjithashtu në Nju Jork më 24 shtator, në margjinat e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ata diskutuan zhvillimet rajonale, ndërsa në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas takimit dënuan sulmet ndaj qytetit të shenjtë të Mekës, si dhe ndaj infrastrukturës civile dhe ekonomike të Arabisë Saudite.
Shefat e Shtabeve të Përgjithshme të tri vendeve u takuan gjithashtu në Riad më 25 shtator.



