IRANI MBYLL HORMUZIN / Teherani kushtëzon rihapjen e ngushticës me shtatë kërkesa

Irani vendos shtatë kushte për Shtetet e Bashkuara përpara rihapjes së Ngushticës së Hormuzit. Teherani thotë nuk do të tërhiqet derisa të zbatohen kërkesat e përcaktuara në Memorandumin e Islamabadit. Ndërkohë, tensionet po zgjerohen në Gjirin Persik dhe Jemen, duke shtuar rrezikun për transportin dhe furnizimin ndërkombëtar me naftë.
Shtatë kushte për të rihapur një nga korridoret më të rëndësishme energjetike të botës.
Irani paralajmëron se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara të përmbushin kërkesat e Teheranit, të përcaktuara në Memorandumin e Islamabadit.
Kryetari i Parlamentit dhe kryenegociatori iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, konfirmoi se Uashingtoni ka paraqitur propozime të reja përmes ndërmjetësve, por deklaroi se koha e zvarritjes së negociatave dhe kërkesave të njëanshme ka përfunduar.
Ghalibaf nuk bëri publike përmbajtjen e shtatë kushteve.
Deklarata vjen pasi ministri i Jashtëm Abbas Araghchi mori përmes Katarit përgjigjen amerikane ndaj planit të propozuar nga Teherani. Sipas nismës iraniane, Hormuzi mund të rihapet brenda shtatë ditësh nëse plotësohen kërkesat e tij.
Araghchi ka deklaruar ndërkohë se konflikti nuk mund të zgjidhet përmes forcës ushtarake apo sanksioneve të reja, duke kërkuar rikthimin te diplomacia.
Por tensionet në rajon vijojnë të përshkallëzohen.
Një cisternë nafte raportoi se ishte goditur nga një predhë e paidentifikuar në Ngushticën e Hormuzit, duke pësuar dëmtime në dhomën e motorëve. Ekuipazhi raportohet se është i sigurt.
Në Jemen, Arabia Saudite dhe rebelët Houthi kanë shkëmbyer sulme, ndërsa janë raportuar goditje ajrore saudite dhe lëshime raketash drejt Riadit.
Rusia është ofruar si ndërmjetëse mes Uashingtonit dhe Teheranit, por Moska ka bërë të qartë se synon të ruajë marrëdhëniet strategjike me Iranin.
Nga Uashingtoni, Donald Trump ka paralajmëruar masa të tjera nëse nuk arrihet marrëveshje, ndërsa zyrtarë të lartë amerikanë kanë diskutuar strategjinë ndaj Iranit dhe situatën në Jemen.



