“Sodoma dhe Gomorra”-një ritregim i shkurtër

Shkruan: Driton Demiri 

Asgjë e veçantë nuk mund të thuhet. Sikur krejt të jetë zhvendosur, në kohë. Meqenëse koha ecë, me të vërtetë e kisha ndërmend të ndalesha këtu, ta harroja nga mendja, gjegjësisht nga vëmendja gjithë këtë ritregim. Por, le të kalojmë tek fekalet. Më falni. Me ndjesë. Le të kalojmë te mishi. Sërish ndjesë. Te uji!!! Gjithçka mbi traversë. U shqetësova pak. S’kisha patur moti këtë ndjesi. Nga se qëllimi është të flas për taktikë, jo për komplote dhe dyshime. Prandaj vetëm të veçoj, se edhe kënetat e Kalkutës lindore në Indi ku kutërbimi është i tmerrshëm, prodhojnë peshq dhe filtrojnë të gjitha ujërat e zeza.

Dhe për të mos iu futur thellë rrënjës, për të shmangur gjithë ngatërresën, “Sodoma dhe Gomorra” janë dy qytete të mëkatit dhe vesit në kohën e Profetit Ibrahim (a.s), të cilët Perëndia i dogji dhe zhduki nga faqja e dheut së bashku me të gjithë banorët e tyre, përveç Lutit (a.s). të drejtë dhe familjen e tij. Zemërimi i Perëndisë erdhi për shkak të mëkatit të thellë, kundër banorëve të shthurur, perversë, hipokritë dhe jetës së egër pa ndjenja. Perëndia ishte gati t’i falte qytetet nëse do të gjente pesëdhjetë ose ose të paktën dhjetë njerëz të drejtë e të denjë në to, mirëpo nuk i gjeti, përveç Lutit (a.s). Tregimi dhe historia e Sodomës dhe Gomorrës është një paralajmërim për njerëzit, për atë që ndodh, kur mëkati dhe jeta mëkatare mbizotërojnë në shoqëri, kur njerëzit i lejojnë vetes liri pa limite, ti shërbejnë sy ndër sy (vetëm e vetëm për myfte e lakmi) së keqes, mashtrimit, manipulimit, krimit, shpërdorimit, korrupsionit, zhvatjes, hajnisë, ryshfetit, amoralitetit, kurvërisë, kumarit e deri tek shërbimi ndaj individëve të paranojës.

Për ta përçuar këtë radhitje të dëshmisë, megjithëse e vërteta, është, se përshkruhet shthurja morale, qytetet ndodheshin pranë Detit të Vdekur që e dimë dhe sot. Vetëm ky kujtim i Detit të Vdekur i cili mendohet se ka mbuluar gjithçka njerëzore dhe natyrore në atë pjesë të tokës, si simbol i vdekjes, fundit të jetës, për shkak të mëkatit, mbetet. Është një fakt, i një anarkie të plotë morale dhe askush në të nuk është i admirueshëm. Përveç siç dihet dhe përmendet në tregim, Lutit (a.s.) me familjen e tij, i cili kursehet dhe largohet me kërkesën e Profetit Ibrahim (a.s.). Çdo gjë tjetër, pra, që tregohet, mbart në vete shembullin më negativ, atë të tragjedisë morale. Si mund të presësh për diçka që nuk është njerëzore të mendojë dhe të veprojë si njeri? Përshkrimi i Sodomës dhe Gomorrës është më shumë se shqetësuese.

Në anën tjetër, për të dalë pak jashtë kornizave, ritregimi nuk është themelor dhe në pikën e vazhdimit nuk ka arsye të jetë i tillë. Por, a bën njeriu ndonjë gabim serioz diku dhe përfundon në situatë shumë të keqe në ditën e sotme?! Për shumë e shumë njerëz, pastaj dhe “namazli”, kjo çështje, si nënpyetje, mund të duket e çuditshme, sepse pothuajse nuk e kanë idenë se çfarë po bëjnë. Turmë që nuk e di, ose që, rrallë e di rrugën. Turmë për hukubet, dhe jo vetëm. Për gërdi. “Ku secili i di të gjitha” dhe asgjë nuk ndryshojnë. Në gjendje të rrënojnë gjithçka për dy a pesë para më shumë, të cilat edhe ashtu nuk u takojnë, sepse shumica, pjesa dërrmuese, nga ata, nuk i fitojnë me meritë e djersë, apo për përfitime dhe shërbime shumë të imëta interesash mediokre, siç përshkruhet tek Ferma e Kafshëve e Oruellit. Pikë. Asnjë presje. Që të bën të kuptosh se njerëzit pranojnë çfardolloj situate, gjendjeje të padrejtë, (madje deri në helmim), kur ajo u shërben vetëm interesave të tyre puro personale. Ndërkohë që, të paditurit mendjelehtë pa ndërgjegje, madje dhe jo adekuat vazhdojnë të mbajnë orë e mësim të matematikës, dhe pastaj shndërruar në numra të tërë levërdinë, një dhe një bëjnë zero, e shumë e shumë përleshje të tilla. E, më pas ujë (të pijshëm) mjaftueshëm nuk ka, dhe për të patur, lumi është afër, apo ndonjë llofkë e improvizuar me llum dhe fekale. Për moment “puna zgjidhet”, ndërsa mashtrimi (krimi) pa asnjë ngurrim e pengesë del në sipërfaqe. Po, kur Zoti…Perëndia dëshiron të ndëshkojë dikë, së pari ia heq mendjen, thotë Dostojevski. Me keqardhje, po ashtu i bie. Pa një pa dy, mbi tre mijë a pesë mijë njerëz (banorë) (derisa, vërtet, numri mund të jetë edhe më i madh, sepse, një pjesë tjetër në numër të konsiderueshëm trajtohen në kushte shtëpiake dhe private); të mëdhenj e të vogël, burra, gra e fëmijë kërkojnë ndihmë mjekësore me dhimbje stomaku, diarre, temeraturë e të vjella, për një distancë kohore shumë të shkurtër. Për më tepër, uji është i ndaluar të përdoret për çdo gjë, për çdo nevojë. E, kur mungon uji mungon jeta, kështu këmba-këmbës, dora-dorës, fatkeqësisht, djalli po e merr shakanë.

Ta kthjellojmë pak më hapur këtë situatë të shkakut dhe pasojës së pakujdesisë dhe kundërshtimit të normave morale sa nuk kemi dehidruar…,… si është e mundur i keq në njërën anë, kur thonë, dhe i mirë në anën tjetër, dhe anasjellas, kur kthejnë parullën?! Ose ose, skifter në njërën anë dhe pëllumb në anën tjetër. Diçka e shëmtuar. Pa bërë asnjë përjashtim. Sjellje si pasqyrë berberi; më mirë me thënë, si karrige berberi! – Përgjigja si me një nënpyetje është vetëm (se) në një pikë, a është kjo një gënjeshtër, një mashtrim e/i “athët”, apo është si çdoherë vetëm një gënjeshtër, një mashtrim e/i kulluar. Në fund të fundit, për të qenë më i drejtpërdrejtë, në këto rrethana të njohura të pakëndshme të gënjeshtrave dhe shfaqjeve me kukulla, kështu siç jetohet e veprohet, me të grishura anembanë pasmesnate, me kërkesa të aspekteve të përcipëta sociale të jetës shoqërore, të prekura nga politizimi dhe klientelizmi, nuk është, le të themi, turp, njeriu, të ketë interesa të tija në kushte njerëzore, një vend pune të duhur me meritë, një shërbim po ashtu meritorë e tjerë e tjerë, është e pamundur në këtë pozitë shoqërore të mos i ketë; por duhet të ndodh, të jetë më, e udhës, pa hamendje, që, si ato interesa, si çdo interes tjetër i pakuptimtë jo jetikë, jo thelbësor dhe jo përmbajtësor, njëherit e përgjithmonë të kenë kufijtë e tyre, të mbarojnë.

Po ta zëmë nga fillimi gjithë këtë dridhje “të bardhës së bardhë e të zëzës së zezë”, gjithë këtë rrëmujë dhimbjeje stomaku, shqetësimi e dëshpërimi, gjithë këtë diarre e si ti themi ndryshe; sundimi i padiskutueshëm si i hipokrizisë ashtu edhe i moskokëçarjes, si dhe i mungesës së vetëdijes dhe ndërgjegjes, me përmbajtje të një krenarie të marrëzisë, shtynë çdo mendim të duhur, të shëndoshë e të guximshëm në margjinat e shoqërisë. Dhe nuk është problem. Ama hiç, aspak s’është problem. Meqenëse, ajo mendje e kokë, ate, (këtë) kërkon. U qoftë përjetë myfteja, marrëzia, hipokrizia dhe moskokëçarja. Në realitet, për ti kushtuar pak më shumë kujdes e rëndësi, kësaj çështjeje, me zanafillë nga aksident në dukuri, për nga pikëpamja “ideologjike”, nëse mund t’a quajmë, sepse mund ta quajmë edhe më ndryshe ashtu siç i takon, nga ana logjike, siç i përkon momentit, kryesisht, në këtë pjesë të vendit e të shoqërisë, e gjejmë veten në një periudhë shterpe në të cilën klishetë konsiderohen kulmi i mendimit njerëzor. Prandaj e keqja nuk fle kurrë. Sepse në kujtesën time kapërthejnë një mijë kujtime. Rreth dyzet e shtatë mijë e ca herë ua kam thënë, se politika nuk është as dëfrim e as aheng dasme me valle e tupana. As edhe shëtitje me biçikletë e katërçikletë nuk është. Politika është përkushtim ndaj shërbimit (cilësor) publik, përkushtim ndaj përgjegjësisë, përkushtim ndaj llogaridhënies për ta çuar një shoqëri përpara. Të mbahet mend kjo mirë e mirë. Ja për mungesë turpi në horizont përsëri re të zeza. Në vijim, gjithçka përralla gomari. Kështu më, nuk ka fije kuptimi. Është e tepërt! Nuk ka më, përse, kështu, të kalohet gjithë kohës, me marifete të një shprese të kotë. Edhe sa kohë duhet të qëndrojnë të fshehur nëpër skuta si brumbujt? Kështu, as lumi nuk do të kalohet në paqe, gjersa nuk pastrohen njëherit e përgjithnjë llumi dhe ujërat e zeza si të shtytësit ashtu dhe të përfituesit.

Sodomën dhe Gomorrën për gjërë e gjatë nëse ju intereson, e keni kudo, mund ta lexoni me vëmendje, germë pas germe e fjalë pas fjale. Derisa të ndodh një ndëshkim hyjnor i radhës. Mëkati ekziston. Edhe hadithi: “Ruaju lutjes së të dëmtuarit…,” po ashtu, si shembull i dënimit të zullumit. Dallohen shumë më shumë sesa një fotografi. Shihni vetëm veten vërdallë, duke vepruar në kaos, duke prekur thuajse fundin në huti, pa veshë e pa sy, e pa mend, dhe ja pasqyra.

Ende pa filluar, këtu përfundon ky ritregim.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button