Shqipëri, zjarri në Riban të Mallakastrës merr përmasa, rrezikon masivin pyjor të Lofkëndit

Vatra e zjarrit në fshatin Riban të Mallakastrës në Shqipëri ka marrë përmasa dhe është përhapur gjatë natës në një sipërfaqe më të gjerë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përfshirjen e masivit pyjor të fshatit Lofkënd, transmeton Anadolu.
Forcat operacionale janë përqendruar aktualisht në dy drejtime kryesore të ndërhyrjes, në Riban dhe Lofkënd, me qëllim izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Bëhet e ditur se në terren janë angazhuar 5 mjete zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova, 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 35 forca të bashkisë, 2 autobote me ujë si dhe pritet të bashkohen 35–40 trupa të Forcave të Armatosura.
Për shkak të terrenit të vështirë, dendësisë dhe lartësisë së bimësisë së ulët, shtrirjes së madhe të zjarrit dhe intensitetit të lartë të flakëve, ndërhyrja me forcat tokësore paraqitet mjaft e vështirë.
Agjencia për Media dhe Informim në raportin e saj të fundit sa i përket situatës së zjarreve ka bërë të ditur se Shqipëria ka pasur 14 vatra zjarri të raportuara në shkallë kombëtare në 12 orët e fundit, nga të cilat pesë vijojnë të jenë aktive, derisa forcat e emergjencave civile po operojnë nga toka dhe ajri për izolimin dhe neutralizimin e plotë të flakëve.

