Infantino thërret mbledhje ekzekutive në Marok, teksa kritikat ndaj tij shtohen

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thirrur drejtuesit më të lartë të qeverisë botërore të futbollit në një takim që do të mbahet të mërkurën në Marok, pas një tjetër dite kritikash të ashpra ndaj planit të tij të tërhequr për shitjen e operacioneve tregtare dhe të eventeve të FIFA-s.
Drejtori i zhvillimit global të futbollit në FIFA, Arsene Wenger, sekretari i përgjithshëm Mattias Grafstrom dhe Princi Ali, president i Federatës Jordaneze të Futbollit, kanë shprehur qartë kundërshtimin e tyre ndaj projektit FIFA Forward Enterprise të propozuar nga Infantino.
Infantino, i cili ndodhet në Marok prej një jave, ka thirrur një mbledhje ekzekutive në Rabat në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për polemikat që kanë shpërthyer.
Sipas mediave, në takim do të marrin pjesë Mattias Grafstrom dhe anëtarë të bordit drejtues të FIFA-s, mes tyre drejtori financiar Thomas Peyer, drejtori ligjor Emilio Garcia Silvero, shefi i kabinetit Daniel O’Toole, drejtori për federatat anëtare Elkhan Mammadov dhe drejtori i marrëdhënieve me median Bryan Swanson.
Arsene Wenger deklaroi, përmes një komunikate të FIFA-s, se tërheqja e projektit ishte “absolutisht e domosdoshme dhe e padiskutueshme”.
Ndërkohë, Grafstrom e cilësoi javën e fundit si “një seri ngjarjesh të trishta dhe të dënueshme”, në një email të brendshëm drejtuar stafit të FIFA-s.
