SHBA rrit aktivitetet e inteligjencës në Kubë, përmendet edhe skenari i një ndërhyrjeje ushtarake

Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar aktivitetet e inteligjencës në Kubë gjatë muajve të fundit, si pjesë e strategjisë së administratës së presidentit Donald Trump për të rritur presionin ndaj qeverisë komuniste në Havana, raporton Politico, duke cituar dy burime të njohura me planet e administratës amerikane.
Sipas raportimit, Uashingtoni ka shtuar praninë e kapaciteteve të inteligjencës në ishull, duke angazhuar personel dhe burime të tjera operacionale. Një prej burimeve tha se kjo lëvizje mund të shërbejë si përgatitje për një sërë skenarësh, që variojnë nga shtimi i përpjekjeve për të nxitur zyrtarë apo qytetarë kubanë të kthehen kundër qeverisë, deri te mundësia e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane.
Një burim tjetër pohoi se prania e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Kubë është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi operacionet në terren.
Sipas burimeve të cituara nga Politico, administrata amerikane synon të përdorë “të gjitha mjetet konvencionale të disponueshme”, përfshirë burimet e komunitetit të inteligjencës, për të ushtruar presion ndaj udhëheqjes kubane. Megjithatë, thuhet se presidenti Trump vazhdon të favorizojë një zgjidhje diplomatike të situatës.



