Kosovë, nisin hetimet për një lokacion të tretë për mbetje mortore në Zubin Potok

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se pas identifikimit të dy lokacioneve ku u gjetën mbetje mortore të cilat dyshohen se i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë, hetimet po vazhdojnë për një lokacion të tretë, transmeton Anadolu.
Prokuroria ka konfirmuar se në koordinim me Policinë e Kosovës, hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut po vazhdojnë intensivisht.
Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë.
“Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë. Prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore. Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment”, thuhet në njoftim.
Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se do të publikojë informacione shtesë kur kjo të jetë e mundur pa cenuar procesin e hetimit.
Autoritetet kosovare deri më tani kanë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.



