Senegal, Xhamia e Madhe në Saint-Louis e cila ka zile në minaren e saj
Xhamia e Madhe historike në Saint-Louis të Senegalit, e cila ka një zile në minaren e saj, hedh dritë mbi periudhën koloniale franceze dhe ka sjellë me vete disa debate në vend.
Saint-Louis, i cili konsiderohej kryeqyteti politik i Afrikës Perëndimore Franceze (AOF) nga viti 1895 deri në 1902 gjatë periudhës koloniale franceze dhe kryeqyteti i Senegalit dhe Mauritanisë deri në vitin 1957, ndodhet afërsisht 250 kilometra nga kryeqyteti aktual Dakar.
Saint-Louis ose “Ndar” siç njihet gjerësisht, me një histori afërsisht 300 vjeçare është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Qyteti është gjithashtu shtëpia e shumë ndërtesave nga periudha koloniale, pasi është qyteti më i rëndësishëm i AOF.
Ndër ndërtesat e ndërtuara me arkitekturë franceze që ende arrijnë të mbijetojnë, një xhami e jashtëzakonshme tërheq vëmendjen. Ka një zile në njërën nga dy minaret në formë katrori të Xhamisë së Madhe Saint-Louis, e cila u hap për adhurim në vitin 1847 dhe një orë pikërisht mbi kambanën.
Ka mendime të ndryshme për kambanën në xhami, e cila i ngjan arkitekturës së Katedrales Saint-Louis, e cila u hap në vitin 1828 dhe është katedralja më e vjetër në Afrikën Perëndimore, pasi është ndërtuar gjatë periudhës koloniale.
– “Qëllimi i kambanës në minare është të njoftojë kohën”
Sipas gojëdhënave, zilja në minare binte për të informuar muslimanët gjatë kohës së lutjes, sepse francezët që jetonin në qytet gjatë periudhës koloniale ishin të shqetësuar nga ezani.
Megjithatë, sipas Saliou Sarr, një anëtar i Shoqatës Muslimane në Saint-Louis, e cila menaxhon xhaminë tha se ky pretendim nuk ka asnjë bazë. Në deklaratën e tij për Anadolu, Sarr tha se kambana ishte vendosur në minare vetëm për të treguar kohën në atë periudhë.
“Po flasim për vitet 1800. Ora nuk është aksesor që e kanë të gjithë. Prandaj, kur po ndërtohej xhamia, në minaren e majtë u vendos një orë mekanike dhe një zile e ngjitur me të. Kjo zile bie çdo orë për të treguar orën, pra tre herë në orën 3, 4 herë në orën 4, kështu që publiku mund të mbajë gjurmët e orës”, tha ai.
Duke kundërshtuar gojëdhënat se ezani shqetësoi popullin francez në qytet në atë kohë, Sarr tha: “Nuk është e mundur që ezani të shkaktojë shqetësim në një periudhë kur nuk kishte ende sistem altoparlanti. Ezani gjithmonë është recituar nga muezini që nga dita kur u hap xhamia për adhurim. Ne e dimë se muslimanët e asaj periudhe i kushtonin vëmendje të madhe traditës dhe sunetit islam. Qëllimi i kambanës në minare është të tregojë kohën”.
Ai thekson se mekanika e kambanës dhe e orës në minare nuk funksionon më sot, por ato ende tërheqin vëmendjen e shumë turistëve vendas dhe të huaj.
Në xhaminë historike, e cila ka një kapacitet përafërsisht për një mijë persona, mund të falen 4 mijë persona në të njëjtën kohë me rritjen e hapësirës e cila përfundoi në fillim të këtij viti.