Sekretari britanik, Reed: Do të bëjmë çdo gjë për të ndaluar sulmet e Izraelit në Gaza

Sekretari i Mjedisit, Ushqimit dhe Çështjeve Rurale i Mbretërisë së Bashkuar, Steve Reed tha se qeveria e Britanisë do të bëjë çdo gjë të nevojshme për të ndaluar sulmet e Izraelit në Gaza dhe për të lejuar hyrjen e ndihmës humanitare, transmeton Anadolu.

Në një transmetim të drejtpërdrejt në “Sky News”, Reed bëri deklarata rreth përgjigjes së qeverisë britanike ndaj sulmeve të vazhdueshme të Izraelit në Gaza dhe vendimeve të sanksioneve kundër individëve dhe grupeve të caktuara izraelite.

Duke komentuar thirrjen e fortë të Britanisë që Izraeli të ndalojë sulmet ndaj Gazës dhe të lejojë hyrjen e ndihmave, Reed tha: “Ne të gjithë kemi parë se çfarë po ndodh në Gaza. Situata tani është e patolerueshme. Qeveria e (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu po i përkeqëson gjërat, nuk po i përmirëson”.

Sekretari britanik Reed deklaroi se ata duan një armëpushim të menjëhershëm. “Sulmet që Izraeli ka rinisur duhet të ndalen. Më pas, duhet të lirohen pengjet e mbajtur nga Hamasi”, tha ai.

Pasi theksoi rëndësinë e hyrjes pa pengesa të ndihmës humanitare në Gaza dhe rindërtimin e Gazës brenda kornizës së një programi ndërkombëtar, Reed vuri në dukje se e vetmja mënyrë për paqe afatgjatë është përmes një zgjidhjeje me dy shtete.

“Askush në botë nuk dëshiron të shohë imazhet që regjistrohen në Gaza tani”, tha Reed duke theksuar se rreziku i urisë është një situatë e papranueshme.

“Kjo është përtej vetëmbrojtjes legjitime izraelite. Ky është një sulm që ne nuk do ta tolerojmë më”, tha Reed. Ai vuri në dukje se Britania po punon për të ndaluar sulmet e vazhdueshme të Izraelit, për t’i dhënë fund krizës humanitare dhe për ta rikthyer Izraelin në tryezën e negociatave.

Ndaj pyetjes “A do të ketë sanksione kundër Netanyahut?”, Reed dha përgjigje duke rikujtuar vendimet e sanksioneve kundër izraelitëve që uzurpojnë tokat palestineze.

“Nuk dua të spekuloj. Shpresoj që këto sanksione të jenë të mjaftueshme. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Por, qeveria jonë do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të bindur qeverinë e Netanyahut dhe Izraelin që të ndalojnë sulmet që ajo rifilloi, të sigurojnë rrjedhën e ndihmave në Gaza dhe të lirojnë pengjet”, tha Reed.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button