Sali në Berlin: Integrimi gradual mund ta afrojë perspektivën evropiane me qytetarët

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, gjatë qëndrimit në Berlin ka zhvilluar një takim me drejtorin e Akademisë Evropiane, Christian Johann, ku kanë diskutuar për mënyrat e konkretizimit të perspektivës evropiane për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Përmes një njoftimi, Sali theksoi se integrimi gradual në Bashkimin Evropian mund të krijojë mundësi më të mëdha për qytetarët dhe bizneset, përmes qasjes më të lehtë në tregun e përbashkët evropian, lehtësimit të pagesave dhe përmirësimit të lidhshmërisë.
„Integrimi gradual është pjesë e përgjigjes. Ai mund të hapë më shumë mundësi në tregun e përbashkët evropian, të lehtësojë pagesat dhe lidhshmërinë, dhe t’u japë bizneseve hapësirë më të madhe për zhvillim“, deklaroi Sali.
Ai nënvizoi se këto mundësi duhet të shoqërohen me reforma të qëndrueshme, sundim të ligjit dhe zbatim të Agjendës së Reformave.
Sali shtoi se dialogu me ekspertët dhe institucionet gjermane është i rëndësishëm për përshpejtimin e procesit, duke theksuar se synimi përfundimtar mbetet anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Evropian, me rezultate konkrete gjatë gjithë rrugës.



