Qeveria hungareze: Pajisjet “pager” që shpërthyen në Liban “nuk kanë qenë kurrë” në Hungari
Qeveria hungareze tha sot se pajisjet “pager” që shpërthyen në Liban “nuk kanë qenë kurrë në Hungari”, transmeton Anadolu.
Komentet nga zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs erdhën pasi firma tajvaneze Gold Apollo mohoi të ketë bërë pajisjet “pager” që shpërthyen dhe tha se ato ishin prodhuar dhe shitur nga një kompani hungareze, BAC Consulting KFT, me seli në Budapest – e cila kishte licencë për të përdorur markën “Gold Apollo’s” në pajisjet.
“Autoritetet kanë konfirmuar se kompania në fjalë është një ndërmjetës tregtar, pa asnjë vend prodhimi apo operimi në Hungari”, tha Kovacs.
“Ai ka një menaxher të regjistruar në adresën e tij të deklaruar dhe pajisjet e referuara nuk kanë qenë kurrë në Hungari”, tha ai.
“Gjatë hetimeve të mëtejshme, shërbimet hungareze të sigurisë kombëtare po bashkëpunojnë me të gjitha agjencitë dhe organizatat partnere ndërkombëtare relevante”, shtoi zëdhënësi. Ai tha se rasti nuk paraqet rrezik për sigurinë kombëtare për Hungarinë.
Të paktën 21 persona, përfshirë fëmijë, u vranë dhe më shumë se 3.000 të tjerë u plagosën pas shpërthimeve të pajisjeve të radio-komunikimit në Liban dje dhe sot, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.