Prokuroria pret prova kyçe nga MPB-ja për spiunazhin e dyshuar në kabinetin e Presidentes

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit tash e një kohë nuk ka marrë asnjë informacion kthyes nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me dyshimet për zbulim të sekreteve zyrtare dhe aktivitete të mundshme spiunazhi në Kabinetin e presidentes, Gordana Siljanovska-Davkova.
Sipas njoftimit, prokuroria e ka nisur procedurën më 18 dhjetor 2025, menjëherë pas marrjes së informacionit nga Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së, pas çka janë ndërmarrë një sërë masash ligjore për sigurimin e provave.
Në fazën fillestare të procedurës, Prokuroria për Krim të Organizuar ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore Penale për kontroll të sistemit kompjuterik, me qëllim të verifikimit nëse ka pasur kopjim të paautorizuar të të dhënave nga sistemi informativ në kabinetin presidencial.
Njëkohësisht janë lëshuar urdhra për nxjerrjen e të dhënave nga kompjuterët personalë dhe laptopët që më herët nga Kabineti ishin dorëzuar në MPB, ndërsa më 30 dhjetor 2025 është lëshuar edhe urdhër për analizën e materialit të nxjerrë.
Megjithatë, prokuroria është përballur me pengesa gjatë përpjekjeve për sigurimin e incizimeve të kamerave të sigurisë. Në fillim të vitit 2026, Kabineti i Presidentes ka njoftuar se nuk posedon kopje të incizimeve, pasi pajisjet janë furnizuar përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, ndërsa kompetenca për menaxhimin e tyre i takon MPB-së. Pas komunikimit me të dy institucionet, nga ky shërbim është konfirmuar se roli i tyre ka qenë vetëm furnizimi i pajisjeve, ndërsa ruajtja dhe disponimi me kopjet është obligim i MPB-së. Pavarësisht kësaj, deri më sot nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk janë dorëzuar informacione apo njoftime për veprimet lidhur me sigurimin e këtyre incizimeve.
Zhvillimi i mëtejshëm i hetimit tregon se më 16 mars 2026, MPB-ja ka dorëzuar informacion vetëm për një pjesë të aktiviteteve lidhur me qasjen në të dhënat e kriptuara nga pajisjet kompjuterike. Së bashku me këtë, në Prokurorinë për Krim të Organizuar janë dorëzuar edhe dy telefona mobilë të sekuestruar nga personi i raportuar, për të cilët prokuroria menjëherë ka lëshuar urdhër për nxjerrjen e të dhënave në Qendrën e saj Hetimore.
Duke marrë parasysh seriozitetin e rastit, prokurori kompetent më 25 mars 2026 i ka dorëzuar Sektorit për Krim Kompjuterik pranë MPB-së një urdhër të ri, me të cilin kërkohet analizë e plotë e të dhënave nga telefonat, analizë e përbashkët me të dhënat kompjuterike të përpunuara në Qendrën Hetimore, si dhe analizë e zbatimit të urdhrit gjyqësor për kontroll në sistemin e Kabinetit. Me urdhrin është kërkuar detyrimisht që prokuroria të informohet për provat e siguruara.
Nga Prokuroria për Krim të Organizuar theksojnë se, pavarësisht seriozitetit të rastit, ndjeshmërisë së rrethanave dhe rëndësisë së reagimit në kohë në raste të tilla, deri më sot nuk kanë marrë asnjë rezultat apo njoftim nga MPB-ja për veprimet e ndërmarra dhe provat e mbledhura.

