Prokuroria: Familjet e viktimave në klubin “Pulse” do të thirren të bashkohen me ndjekjen penale

Prokurorët publikë që po merren me hetimin lidhur me zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan kanë filluar të marrin në pyetje përfaqësues të familjeve – përfaqësues ligjorë të të ndjerëve.
Përmes dëshmive të dhëna përpara prokurorit publik, ata do të kenë mundësinë të realizojnë të drejtat e tyre si të dëmtuar dhe të bashkohen me ndjekjen penale.
Gjithashtu, ata do të mund të informohen drejtpërdrejt për rrjedhën dhe fazën ku ndodhet procedura, por edhe të ndajnë njohuritë e tyre për ngjarjen.
Për këtë qëllim, në dy ditët në vijim, në bashkëpunim me vullnetarët nga “Support Kočani”, Prokuroria do të kontaktojë të afërmit e viktimave për të caktuar kohën dhe vendin e saktë ku do të mund të realizojnë këtë të drejtë të tyre.
Marrjet në pyetje do të zhvillohen sipas një orari të përcaktuar nga data 27.05 (e martë) deri më 29.05 (e enjte) në ambientet e Prokurorisë Publike, në marrëveshje me të dëmtuarit.
Këto marrje në pyetje do të jenë individuale dhe në to do të ftohet nga një përfaqësues ligjor për secilën nga viktimat, që të shprehë qëndrimin e tij në lidhje me të drejtat si i dëmtuar. Ai gjithashtu do të mund të propozojë edhe persona të tjerë nga familja të cilët mund të kenë njohuri për ngjarjen.
Prokuroria Publike, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, gjatë gjithë procedurës i kushton vëmendje dhe kujdes të veçantë viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike. Gjatë çdo veprimi dhe vendimi të ndërmarrë, prokurorët kanë parasysh dhe mbrojnë interesat e të dëmtuarve.
Njëkohësisht, mbetet ende aktiv thirrja e prokurorisë për të gjithë ata që kanë dëshmi personale për aksidentin, informacione dhe prova lidhur me funksionimin e klubit “Pulse” – Koçani dhe kompanive të lidhura me të, si dhe njohuri për veprimet e institucioneve përkatëse, që t’i ndajnë ato me hetimin.
Kjo mund të bëhet përmes plotësimit të një formulari raportimi, i cili më pas duhet të dërgohet në mënyrë elektronike në adresën e dedikuar: istragakochani@jorm.mk.