Presidenti i Malit të Zi uron presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Në mesazhin e tij, Presidenti Milatoviq, ka ritheksuar angazhimin e përbashkët të Kosovës dhe Malit të Zi për forcimin e stabilitetit rajonal përmes dialogut politik dhe respektit të ndërsjellë.
Presidenti Milatoviq ka vënë në dukje gjithashtu potencialin për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe turizmit.
Duke rikonfirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor si një rrugë pa alternativë, Presidenti i Malit të Zi ka shprehur bindjen e tij se, përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe në përputhje me Agjendën e Reformave, do të arrihet progres i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.
Ndryshe, për nder të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Osmani vazhdon të marr mesazhe të shumta urimi nga burrështetas të vendeve të ndryshme të botës.