Përplasjet në BDI/AKI vazhdojnë, kërkohet dorëheqja e Faton Ahmetit, Bujar Osmanit dhe Arbër Ademit

Përplasjet brenda Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) po thellohen. Pas kritikave të aktivistëve të Aleancës për Shqiptarët (ASH) ndaj mënyrës së funksionimit të frontit opozitar dhe kërkesave për rishikimin e pozicionit të partisë brenda tij, në skenë dalin edhe pakënaqësitë brenda BDI-së.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Aleanca Kombëtare për Integrim ka kërkuar dorëheqjen e Faton Ahmetit, Bujar Osmanit dhe Arbër Ademit, duke i bërë përgjegjës për humbjet dhe dështimet politike.
“Secili fajtor për humbjet dhe dështimet duhet të mbajë PËRGJEGJËSI!”, thuhet në reagimin e publikuar në faqen e AKI-së.
Kjo kërkesë vjen një ditë pas reagimit të Liridon Ramadanit, aktivist i afërt me Arben Taravarin, i cili kërkoi që ASH-ja të rishikojë pozicionin e saj brenda AKI-së, duke kundërshtuar barazimin e rolit të saj me atë të subjekteve të tjera.
Ramadani kishte theksuar se ASH-ja nuk është zgjatim i BDI-së dhe se partneriteti brenda frontit opozitar duhet të bazohet në barazi, duke e përmbyllur reagimin me mesazhin: “Partneritet po, nënshtrim jo!”.
Dy reagimet e njëpasnjëshme nxjerrin në pah pakënaqësitë dhe tensionet që po shfaqen brenda opozitës shqiptare, si në raportet mes BDI-së dhe ASH-së, ashtu edhe në përplasjet për përgjegjësinë për humbjet politike.



